Berisha i bindur në fitore më 8 maj

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së se më 8 maj PD-ja do të organizojë zgjedhjet më të mira, pasi kjo parti është simboli i zgjedhjeve të lira.
Ai tha se do të zhvillohen “zgjedhjet më të lira, me të mira, më të ndershme që ka njohur vendi në historinë e tij. Ne shkojmë në këto zgjedhje me vendimin e palëkundur që shqiptarët të votojnë si gjithë qytetarët e Evropës. Ne shkojmë të sigurt për një fitore të thellë dhe të merituar”, tha ai.
Në mbledhjen e Këshillit Kombatar Berisha shpalli zyrtarisht nisjen e përgatitjeve për fushatën elektorale.
“Përshëndes gjithë anëtarët, aktivistët dhe simpatizantët e PD në këtë mbledhje të këshillit kombëtar, e cila është thirrur për të nisur përgatitjet serioze për zgjedhjet lokale të 8 majit në gjithë Shqipërinë”, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha nuk la pa përmendur edhe ngjarjet e 21 janarit, duke e cilësuar sërish demonstratën si një grusht shteti ndaj qeverisë.
Ai ka sulmuar sërish kreun e PS-së, Edi Rama, se është përgjegjësi kryesor i puçit që kërkoi të përmbyste qeverinë e dalë nga vota e lirë e shqiptarëve.
“Ne jemi të vendosur të ecim drejt zgjedhjeve të lira dhe të kapërcejmë çdo pengesë që puçistët mund të nxjerrin. Ky ishte një grusht shteti i cili kishte në krye një treshe aventuriere të dhunshme si Edi Rama, Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi, por kishin prapa skene edhe puçistët e tjerë të cilët kishin vendosur ëndrrën e mandateve të tyre mbi dhunën për të rrëzuar qeverinë e votës së lirë” theksoi më tej Berisha.