Berisha pret Neças: Nxisim investimet çeke
TIRANE- Kryeministri Sali Berisha priti sot homologun e tij çek, Petr Neças. Berisha vlerësoi lart marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa i shprehi mirënjohjen homologut të tij për mbështetjen që Çekia i ka dhënë dhe do ti japë Shqipërisë në proceset integruese.
Ne diskutuam mbi intensifikimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fushat. Arsim, kulturë, dhe në çdo fushë tjetër. Me theks të veçantë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, nxitjen edhe angazhimin e investimeve çeke në fushën e energjisë, mjedisit, minierave dhe në çdo fushë tjetër.- tha Berisha.
Berisha tha se, Neças shoqërohet nga një grup biznesmenësh me të cilët gjatë pasdites së sotme do të mbahet edhe një forum ekonomik. Berisha shtoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka që historitë e investimeve të kompanive çeke të jenë histori suksesi.
Kryeministri çek, i vlerësoi marrëdhëneit mes dy vende si të shkëlqyera. Lidhur me integrimin në Bashkimin Evropian, Neças vlerësoi përparimin që Shqipëria ka bërë në muajt e fundit.
Ai tha se, çështje kyçe ku vendi i tij mendon se mund të investojë janë energjetika dhe minierat.
I pyetur nga gazetarët lidhur me kompaninë CEZ dhe problemet që kjo kompani ka patur, të dy kryeministrat u shprehën se është në interesin e të dy vendeve që CEZ të jetë i suksesshëm.
Berisha dhe Neças theksuan se po shkohet drejt zgjidhjes së problemeve të krijuara.