Statusi kandidat, Topi: Mund ta marrim këtë vit
Tiranë- Pas përfundimit të takimit me kryeministrin Berisha, kryeministri çek, Petër Neças, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi.
Sipas një njoftimi për shtyp nga Presidenca, mësohet se në takim është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri- Çeki në fusha të ndryshme si ajo ekonomike, industrial, turistike apo bujqësore.
Pasi ka bërë një panoramë të situatës politike në vend, Presidenti Topi deklaroi se marrja e statusit kandidat për antarsimin në BE është e mundur gjatë këtij viti.
Ekzistojnë mundësitë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti, duke arritur rezultate konkrete e progres në të gjitha prioritetet kyçe dhe veçanërisht duke përmbyllur në kohë punën mbi reformën elektorale, rregulloren e parlamentit dhe pavarësinë e organeve të drejtësisë. Marrja e statusit është e mundur gjatë vitit 2012, nëse shënohet progres drejt plotësimit të rekomandimeve dhe nëse arrihet mbështetja e vendeve anëtare – u shpreh kreu i Shtetit.
Ndërsa kryeministri i çek u shpreh se Çekia do të vazhdojë të kontribuojë në drejtim të integrimit evropian të Shqipërisë dhe në këtë kuadër, do të japë të gjithë mbështetjen dhe përvojën nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Kliti Topalli/ IDEA