Shkup, ndërtohet profili i vrasësve, ska të dyshuar

Gordana Jankullovska, ministre e Brendshme e Maqedonisë
Rreth 100 persona në polici për vrasjet, nuk përjashtohet asnjë pistë.
Hetimet në Maqedoni për vrasjen e pesë personave në një fshat afër Shkupit, po kryhen me intensitet për të zbardhur sa më shpejt ngjarjen në mënyrë që të evitohen keqinterpretimet që rrezikojnë bashkëjetesën e komuniteteve etnike në vend. Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, tha dje se është arritur të krijohet profili i vrasësve, por nuk ka dhënë detaje për shkaqe hetimi. Një ditë më parë, Jakullovska tha se asgjë deri në atë moment nuk tregonte se vrasja mund të kishte motive etnike, duke përgënjeshtruar disa media maqedonase të cilat deklaruan se vrasësit ishin shqiptarë. Ministrja Jankullovska tha se ndërsa profili i vrasjes është përcaktuar, shtoi se identiteti i tyre nuk është zbuluar ende. Sipas agjencisë INA, ministrja maqedonase ka deklaruar se 10 kilometra nga vendi i krimit është gjetur një makinë, për të cilën mendohet të ketë qenë përdorur nga vrasësit. Nuk mund të japin detaje më shumë lidhur me profilin e vrasësve, pasi akoma po përpunohen dëshmitë materiale. Kemi marrë në pyetje deri tani mbi 100 persona, por dëshmi kyçe do të jenë ato të të afërmve të viktimave. Deri tani nuk ka të dyshuar, theksoi Jankullovska. Ajo deklaroi se të gjitha pistat e hetimit mbeten të hapura dhe siguroi se vrasësit do të kapen dhe do të dënohen ashpër. Ndërkohë, eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, u bëri dje thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga incidente të tjera. Kjo është e rëndësishme, po aq sa është kapja e autorëve të krimit. Në këtë moment është mirë të veprohet në qetësi dhe me mençuri, theksoi Fajon, e cila është edhe anëtare e Parlamentit Europian për Europën Juglindore dhe raportuese për liberalizimin e vizave. Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve në Shkup që të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të siguruar një ambient të qetë për të gjithë qytetarët në vendin e tyre. Vrasjet e tilla dhe konfliktet etnike janë të papranueshme dhe janë në kundërshtim me vlerat europiane. Marrëveshja e Ohrit është me rëndësi vitale për qytetarët e Maqedonisë, për rrugën e tyre drejt BE-së. Çdo dhunë e mëtejshme etnike seriozisht do të rrezikonte rrugën dhe lëvizjen drejt BE-së, ka theksuar Fajon, duke shprehur njëkohësisht ngushëllime për familjet e viktimave.
Letra e Thaçit
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut maqedonas, Nikolla Gruevski, duke shprehur ngushëllimin për vrasjen e pesë shtetasve maqedonas, një ngjarje që ka rritur tensionin etnik në vend. Kemi besim të plotë që ky akt, sado i rëndë dhe kriminal, do të përballohet me ndjenjën e përmbajtjes, të maturisë dhe të ruajtjes së klimës ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, të gjitha institucioneve të Maqedonisë dhe familjeve të viktimave, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta, ka shkruar Thaçi në telegram.