Berisha pret Skundriç: Zhvillimi e liberalizimi i tregut të energjisë, prioritet i vendit Kryeministri Berisha në takimin me ministrin serb të Energjetikës dhe Minierave Petar Skundriç

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin serb të Energjetikës dhe Minierave. Petar Skundriç dhe delegacionin që e shoqëronte. Berisha i uroi mirëseardhjen delegacionit dhe u shpreh se ky takim kontribuon në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve në shumë fusha e veçanërisht në fushën e energjisë. Ai theksoi se hapja e një kapitulli të ri të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë është në interesin më të mirë të qytetarëve të këtyre dy vendeve. “Zhvillimi dhe liberalizimi i tregut të energjisë, përbën një ndër prioritetet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Në konsideratën e burimeve të shumta ujore qeveria shqiptare ka iniciuar projekte ambicioze për ndërtimin e 440 hidrocentraleve të vogla”, tha Berisha. Investitorët serb, vijoi ai, mund të gjejnë me interes të investojnë në Shqipëri edhe në burime alternative të energjisë, si të erës apo qymyrit, në kushtet e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e biznesit dhe të një rritje të qëndrueshme ekonomike. Nga ana e tij, ministri Petar Skundriç mbështeti idenë se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve kontribuon në përfitime reciproke për të dy vendet. Ai theksoi që qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk duhet të pengojë zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme ekonomike dhe se vizita e sotme shënon vetëm fillimin për një bashkëpunim rajonal në fushën ekonomike. Serbia nëpërmjet linjave të koneksionit dhe marrëdhënieve me vendet të tilla si Rusia, Ukraina, Bjellorusia etj., ofron akses ndaj një tregu më të madh energjetik. Në këtë këndvështrim, në frymën e angazhimit reciprok, së shpejti do të firmoset në Beograd një marrëveshje bashkëpunimi mes ministrit serb të Energjetikës dhe Minierave Petar Skundriç dhe ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës të Shqipërisë Dritan Prifti.