Komisionet miratojnë marrëveshje ekonomike me Estoninë dhe me CEFTA-n Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe Komisioni për Politikën e Jashtme diskutuan dhe miratuan sot në mbledhjet përkatëse, projektligjin “Për ratifikimin e konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Estonisë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat”. Kjo konventë luan një rol shumë të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve. Konventa krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve a të personave juridikë, shqiptarë dhe estonezë, që kanë veprimtari biznesi ose të ardhura të tjera, që parashikohen në juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dyja shteteve. Projektligji u vlerësua pozitivisht gjatë diskutimeve në të tre komisionet e sipërpërmendura dhe u kalua unanimisht për në seancë plenare. Ndërkohë, po sot, Komisioni për Çështjet Ligjore shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes të tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve (E.F.T.A.) dhe të marrëveshjeve për bujqësinë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës e Principatës së Lihteinshteinit, Republikës së Shqipërisë e Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Shqipërisë e Republikës së Islandës, si pjesë përbërëse të saj”. Për përafrimin e marrëveshjes në fjalë kanë punuar përfaqësues nga Shqipëria, si dhe përfaqësues të vendeve të tjera nënshkruese. Marrëveshja është rezultat i procesit të liberalizimit dhe lehtësimit të tregtisë që Shqipëria ka ndërmarrë me nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla edhe me Bashkimin Evropian, me vendet e Evropës Juglindore (marrëveshja CEFTA), si dhe me Turqinë. Në të parashikohet, liberalizimi i plotë, reciprokisht, të imporit dhe eksportit të produkteve industriale, si dhe import-eksporti i produkteve të përpunuara bujqësore dhe të peshkimit, për të cilat palët kanë rënë dakord për koncensione reciproke të përcaktuara në protokollet dhe anekset përkatëse. Komisioni ra dakord unanimisht për kalimin e këtij projektligji në seancë plenare.