E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret akademikun malazez, bisedime për liqenin e Shkodrës

Tiranë, 2 shkurt, NOA - Kryeministri Sali
Berisha priti sot në një takim të posaçëm, kryetarin e Akademisë së Shkencave
të Malit të Zi, prof. Momir Djuroviç, i cili shoqërohej nga homologu i tij
shqiptar, prof. Gudar Beqiraj dhe nga ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Zeljko
Peroviç. Djuroviç shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet midis të akademive 
të dy vendeve janë pjesë e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve miq.

Sipas tij, bashkëpunimi i mëtejshëm midis tyre
do të zhvillohet mbi bazën e projekteve të përbashkëta studimore, ku në plan të
parë është ai mbi liqenin e Shkodrës.

Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha e
mbështeti këtë bashkëpunim dhe theksoi se studimi dhe shfrytëzimi i përbashkët
i rezervave natyrore të liqenit të Shkodrës është një temë të trajtuar edhe në
diskutimet midis të dy qeverive.

Ne do të thellojmë lumin e Bunës me qëllim që
të evitojmë përmbytjet, por edhe për ta bërë të lundrueshëm, në mënyrë që të
zhvillohet transporti i ujërave të brendshëm dhe të krijohet një hapësirë të re
për turizmin. Synimi ynë është krijimi i një hapësire ekonomike të orientuar
nga Adriatiku, ku do të veprojnë së bashku Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe
Maqedonia, - nënvizoi kryeministri Berisha.

Më tej, në diskutimin me mikun e shquar malazez,
u trajtuan përvojat e krijuara në zhvillimin e arsimit të lartë universitar dhe
lidhjen e tij me kërkimin shkencor. Politikat tona në këtë drejtim- theksoi
kryeministri- do të bazohen në konsultimet e vazhdueshme dhe në partneritetin e
ngushtë me botën akademike. Ne kemi dyfishuar investimet tona në këtë drejtim
dhe do ti rrisim edhe në të ardhmen, duke zgjeruar arsimin e lartë privat dhe
duke privatizuar hapësira të arsimit publik në këtë fushë. Synimi ynë është që
për disa vjet të kemi 150 000 studentë dhe të arrijmë nivelin e Austrisë për
numrin e tyre në raport me popullsinë.

Takimi kaloi në një atmosferë miqësore dhe të
dy kryetarët e Akademive i kërkuan kryeministrit që të pranojë patronazhin e konferencës
shkencore, e cila do të mbahet për Liqenin e Shkodrës.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›