E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret deputeten britanike: Opozita, peng statusin me imunitetin

Kryeministri Berisha priti sot në një takim deputeten britanike Jackie Doyle-Price. Kryeministri Berisha pas ekspozesë së plotë që i bëri deputetes britanike Jackie Doyle-Price rreth ecurisë të vendit në njëzet vitet e reformave demokratike, theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij në përgatitjen e vendit për marrjen e statusit të vendit kandidat të BE.
 

Kryeministri Berisha tha se gjithçka do varet nga performanca e Shqipërisë dhe se marrja e statusit ishte në dobinë afatgjatë të vendit. “Mos marrja e statusit nuk do dëmtonte thjesht qeverinë, por interesat jetike të të gjithë shqiptarëve”, - theksoi kryeministri Berisha, duke veçuar se ndërsa opozita bashkëpunoi shumë mirë për reformën zgjedhore, nuk veproi kështu për heqjen e imunitetit.
 

Deputetja britanike Jackie Doyle-Price, duke vlerësuar ecurinë e reformave të qeverisë shqiptare, veçanërisht me politikën e taksave të ulta dhe zhvillimin e sektorit energjetik, shprehu bindjen se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa garantoi mbështetjen që vendi i saj do vazhdojë t`i japë asaj në rrugën e integrimit.
 

Ajo tha se kish pare një Shqipëri befasuese në mikpritjen dhe lirshmërinë e njerëzve të saj, por edhe në bukurinë e saj dhe se në kthim do të propagandonte në mesin e miqve të saj Shqipërinë turistike.
 

Kryeministri Berisha pasi vlerësoi organizimin e Lojërave Olimpike në Londër si me të mirin e të gjithë kohërave tha se, marrëdhëniet mes dy vendeve po forcohen çdo ditë e më shumë duke veçuar numrin çdo vit në rritje të studentëve shqiptarë të mbështetur nga qeveria shqiptare në Universitetet më të mira të Britanisë së Madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›