E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj: Vendi i gjunjëzuar nga krimi, Kryeministri tregon përralla

Përralla dhe tallje me shqiptarët. Ky ka qenë komenti i Partisë Socialiste lidhur me fjalën e Kryeministrit në mbledhjen e të qeverisë. Në një deklaratë për shtyp sekretari për Programin, Ilir Beqaj, duke sjellë në vëmendje vrasjen e së mërkurës në Elbasan u shpreh se jeta, prona, sipërmarrja, edhe vetë media në këtë vend është e kërcënuar dhe shteti rri e flë.
 

“Prej muajsh, një valë krimi dhe aksidentesh fatale kanë përfshirë vendin tonë. Vrasje, hakmarrje, larje hesapesh, grabitje, aksidente rrugore dhe në punë. Çdo ditë, jemi dëshmitarë të jetëve të humbura dhe po ashtu jemi dëshmitarë të një shteti që nuk egziston. I djeshmi ishte një akt i paprecedent, që nuk mund të mbyllet me ndalimin e dy punonjësve të policisë. I djeshmi ishte një akt që tregoi se jetën në këtë vend nuk ta mbron as shteti me uniformë. Ku është shteti shqiptar? Sot, në mbledhjen e qeverisë, ne prisnim që Sali Berisha të merrej seriozisht me gjendjen alarmante të kriminalitetit dhe të pasigurisë në Shqipëri. Të merrej me të drejtën më themelore të njeriut, të drejtën e jetës.Jeta është e kërcënuar, prona është e kërcënuar, sipërmarrja është e kërcënuar, edhe vetë media është e kërcënuar. Vetëm pak ditë më parë tirazhet ditore të tri të përditshmeve u zhdukën nga tregu që në sabah. Por jo, ai vazhdoi të injorojë hallet dhe problemet reale të shqiptarëve, duke përrallisur dhe gënjyer siç e ka zakon” tha Beqaj.

Më tej duke komentuar dhe të dhënat e paraqitura nga Kryeministri Berisha lidhur me turizmin, Beqa tha se “Kryeministri akuoz (ujor) siç na tregoi sot se ka qejf te vetquhet, foli per turzimin malor, por nuk tha asnjë fjalë për hektarët e pyjeve që po digjen në këtë verë të nxehtë. Shërbimi zjarrfikës ankohet se nuk ka mjete. Kështu ndodh nëse paratë shpenzohen për vila qeveritare në bregdet apo për mobilje të zyrave të ministrave. Kryeministri foli për rrugët e reja, por nuk pati kurajon t`u kërkojë falje shqiptarëve për vonesën vetëm për faj të tij të akseve Levan – Tepelenë, Levan – Damës. Foli për terminalin e ri të trageteve në Durrës, por nuk pati kurajo të kërkojë falje pse e vonoi dy vjet ndërtimin e terminalit. Kryeministri foli për ndërtimet pa leje në perlat turistike, por në fakt demostroi dështimin e qeverisë së tij në kontrollin e territorit, në zbatimin e ligjit të planifikimit të territorit. Kryeministri foli për bujqësinë, por sot fshatarët kërkonin nga kryeministri i vendit të tyre zgjidhje për thatësirën, për parcelat e misrit që po thahen, për fushat e jonxhës ku prodhimi po përgjysmohet. Kryeministri foli për disiplinën fiskale, por nuk tha asgjë për borxhin publik që ka kaluar 800 miliardë lekë, për defiçitin buxhetor 9 herë më të lartë se një vit më pare”.
 

Në përfundim ai garantoi qytetarët shqiptarë se verën e ardhshme shqiptarët nuk do të dëgjojnë më bëmat olimpike të Sali akuozit. “Partia Socialiste ka një plan për rivendosjen e demokracisë në vend, për rikthimin e sigurisë së jetës. Demokracia do të rivendoset dhe Shqipëria do të rilindë” u shpreh Beqaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›