Berisha pret kryeparlamentarin e Tirolit: Reforma ekonomike
Kryeministri Berisha priti sot në një takim z. Heruing Van Staa, Kryetar i Parlamentit të Tirolit dhe anëtar i Partisë Popullore Austriake, i cili ndodhet në Shqipëri, në kuadër të pjesëmarrjes në konferencën që organizohet nesër, në Tiranë, nga Këshilli i Evropës, me temë: “Zhvillimi rajonal në Evropë e Shqipëri”.
Z. Heruing Van Staa i shprehu Kryeministrit Berisha falënderimin për pritjen dhe kënaqësinë për këtë takim, që buron nga bashkëpunimi shumë i mirë i qeverisë shqiptare dhe i qeverisjes vendore në Shqipëri, me autoritetet lokale e rajonale të Këshillit të Evropës. Ai vlerësoi se qeveria shqiptare ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të qeverisjes vendore dhe procesit të decentralizimit të saj. Si produkt i këtij bashkëpunimi shumë të mirë, organizohet pikërisht në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, konferenca e Këshillit të Evropës, që nis nesër punimet.
Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen z. Heruing Van Staa, shprehu vlerësimin për punën e tij si Kryetar i Parlamentit të Tirolit dhe si një nga drejtuesit e rëndësishëm të autoriteteve lokale të Këshillit të Evropës. Shqipëria, theksoi Kryeministri Berisha, po ndryshon çdo ditë, duke përmirësuar jo vetëm standardet demokratike të ecjes së saj përpara, por edhe duke garantuar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në vend. Ai siguroi se qeveria shqiptare po punon me intensitet të madh në kryerjen e reformave të rëndësishme ekonomike, që lehtësojnë biznesin dhe, veçanërisht, investimet e huaja në Shqipëri.
Kryeministri vlerësoi se pjesë e këtij suksesi ekonomik të vendit janë edhe investimet austriake, të cilat përfaqësohen në Shqipëri me firma të fuqishme, në sektorë të rëndësishëm të zhvillimit. Ne, theksoi Kryeministri Berisha, i kushtojmë një vëmendje të madhe potencialit të qeverisjes vendore, prandaj kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të decentralizimit të këtij pushteti.