E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha inaguron aksin Levan-Vlorë: Opozita pengon investimet

Kryeministri Sali Berisha ka prerë shiritin e përfundimit të punimeve në autostradën Levan-Vlorë. I shoqëruar dhe nga Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, Berisha mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të organizuar në hyrje të qytetit bregdetar. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri tha se “sot inagurojmë njërën nga rrugët më të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë por dhe për rajonin”, duke e vlerësuar autostradën Levan-Vlorë të krahasueshme me ato të vendeve më të zhvilluara në botë.
 

Duke mbetur tek rëndësia e kësaj vepre, Kryeministri u shpreh se autostrada shkurton në masë të madhe distancat e Vlorës me Levanin, Fierin e Tiranën, duke bërë të mundur ecjen me 120 km/h në gjatësinë e saj prej 24.5 km.

Berisha më tej theksoi se Vlora po bëhet çdo ditë e më shumë një kryeqendër në rajon, ndërsa shtoi se investimi total në qarkun Fier dhe Vlorë, gjatë qeverisjes së kësaj mazhorance arrin në 1,2 miliardë euro.
 

“Qeveria ka investuar në 2 qarqet e mëdha të Fierit dhe Vlorës, në rrugë , kanalizime, ujësjellsa centrale, termocentrale, linja elektrike, në energji, në naftë dhe të gjithë sektorët, një shumë në total prej 1.2 miliardë euro. Janë ndërtuar 900 km rrugë, 165 ujësjellsa, 120 shkolla, subvencionuar 4200 hektarë ullishte, vreshta dhe dru frutorë.”- tha kreu i qeverisë.
 

Ndërkaq Berisha akuzoi opozitën se po kërcënon investitorët vendas dhe të huaj, ndërsa shfrytëzoi rastin për tu bërë edhe njëherë thirrje investitorëve të huaj dhe vendas që të investojnë në Shqipëri.
 

“Kjo nuk ndodh kund në Europë, kjo s`ndodh në asnjë vend të lirë. Kjo ndodh vetëm me këtë opozitë, e cila ka reminishenca të një mentaliteti të vjetër dhe të papranueshëm.”- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›