Berisha pret shirita në Farkë: Rama, kryetar i qendrës së Tiranës
Ashtu siç kishte premtuar dy ditë më parë, për prerje shiritash çdo ditë, Kryeministri Berisha ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme me turin e tij “Shqipëria po ndryshon”. Kreu i qeverisë ka përuruar nisjen e punimeve për dy rrugë dhe një shkollë 9-vjeçare në Farkë, në periferi të kryeqytetit. Kryeministri përuroi fillimisht përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Uzina e Traktorëve-Farkë e Madhe, investim ky i buxhetit të shtetit dhe komunës me vlerë 64.7 milionë lekë. Edhe gjatë kësaj ceremonie, kreu i qeverisë nuk ka harruar pa akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kreun e socialistëve, Edi Rama. Sipas Berishës: “Erdha këtu se kjo rrugë që shtrohet e tëra nga komuna e Farkës, 1/3 e ka në territorin e komunës, ndërsa 2/3 i ka në territorin e Bashkisë së Tiranës, pasi kryetari me korrespondencë i qendrës së Tiranës kujdeset vetëm për qendrën dhe bojatisjen e saj. Për të nuk ekziston periferia e Tiranës. Ai detyron komunat përreth të investojnë dhe të asfaltojnë dhe sistemojnë rrugët e qytetit, që duhet të ishte e kundërta. Qyteti duhet të rrezatonte urbanistikë, rrugë, drita ujësjellës. Këtu ndodh e kundërta, sepse ai është kryetar me korrespondencë dhe i përqendruar në qendër”, theksoi Kryeministri. Kritikat e kreut të qeverisë për kundërshtarin e tij politik nuk kanë munguar as gjatë kohës kur Berisha përuroi nisjen e punimeve për ndërtimin e një shkolle 9-vjeçare. “E ftoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës të frymëzohet nga ky qëndrim. Akoma po presim ta shohim duke prerë shirita dhe ta përgëzojmë, por problemi është se nuk ua gjen dot terrenin për ndërtim dhe shtesat po ua bën në oborret e tyre”, theksoi më tej Berisha. Por kreu i qeverisë nuk ka pranuar të komentojë nisjen e hetimeve nga Prokuroria për ndarjen abuzive të tokave në komunën e Farkës. “Tani jam këtu për inaugurimet, siç e sheh”, i është përgjigjur kreu i qeverisë interesimit të mediave. Kryeministri theksoi se arsimi është përparësi absolute e kësaj qeverie, dhe se janë ndërtuar 149 shkolla, janë konstruktuar 450 të tjera dhe se po vazhdon me shpejtësi ndërtimi i shkollave të reja dhe rikonstruktimi i atyre ekzistuese në të gjithë vendin.