E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, pranga çobanit, dogji 20 ha me pyje

Qirjako Taçi, 52-vjeç, i ka vënë flakën mbeturinave që ndodheshin në stanin e tij por zjarri ka dalë nga kontrolli

GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një zjarrvënës që ka dëmtuar 20 ha pyje dhe kullota dy ditë më parë. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisariati i Policisë, bëhet e ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Qirjako Taçi, 52-vjeç, nga fshati Selckë-Gjirokastër. Çobani ka djegur në stanin e tij në orët e mbrëmjes së të premtes një grumbull mbeturinash por papritur flakët e zjarrit brenda pak minutave përveçse shkrumbuan mbeturinat dhe stanin, u përhapën edhe në pjesë të tjera të zonës duke vënë në rrezik dy banesa dhe kishën ortodokse të fshatit Selckë. Me ndërhyrjen në kohë të banorëve dhe forcave policore, shtëpitë e fshatit dhe kisha kanë shpëtuar në kohë pa marrë flakë. Ndërkohë zjarri i ndihmuar nga era e fortë është përhapur me shpejtësi në drejtim të zonës malore aty pranë. Brenda 90 minutave, flakët e zjarrit kanë përpirë sipërfaqen pyjore dhe kullosore si pemë, shkurre, barëra etj. “Pas eliminimit total të zjarrit, bilanci ka rezultuar mjaft tronditës. Plot 20 ha pyje dhe kullota janë djegur duke shkaktuar një dëm të pallogaritshëm për 20 vitet e ardhshme sidomos në pyje”,- -shprehen specialistët e pyjeve. Si personi përgjegjës i zjarrvënies ,Qirjako Taci, është arrestuar menjëherë nga policia për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr. Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës Gentijan, Mullai, policia i drejtohet komunitetit që të tregohet i kujdesshëm në përdorimin e zjarrit pasi nuk do të tolerohet asnjë shtetas që me qëllim apo nga pakujdesia, do të shkaktojë djegie të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore. Arrestimi i zjarrvënësit të djeshëm i bashkohet tre personave të tjerë të arrestuar nga Policia e Gjirokastrës gjatë dy muajve të fundit për të njëjtën vepër penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›