E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, mbyllet përfundimisht pusi që rrezikoi tragjedinë

Banorët kanë kaluar natën jashtë nga frika e ndotjes apo problemeve të tjera që mund të vinin nga shpërthimi i gazit

FIER- Një ditë pas shpërthimit të pusit 2116 në Zharrëz të rrethit të Fierit, situata është vënë nën kontroll të plotë. Gjatëgjithë natës, specialistët kanë punuar në të duke hedhur shkumë dhe dje paradite i është dhënë dora e fundit. Rreth orës 12.00 pusi është mbytur me argjilë, duke shënuar në këtë mënyrë edhe mbylljen përfundimtare të tij. Sipas specialistit të mjedisit, Kujtim Hoxha, dje situata në këtë zonë ishte brenda normave të lejuara.

Situata

Por edhe pse dje situata është më ndryshe dhe në kushte te favorshme për të jetuar, banorët ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre. Të trembur nga ajo që kanë parë dy ditë më parë, ata kanë preferuar që të kalojnë natën ndërmjet të premtes dhe të shtunës tek të afërmit e tyre. Familja Dine është një nga ato që kanë pësuar dëmet më të mëdha nga ky shpërthim dhe disa prej pjesëtarëve ndodhen ende të shtruar në spital. Zymbyle Dine, aktualisht vazhdon te jete e shtruar në spitalin e Fierit ndërsa djali i saj, Fotjon Dine, është dërguar në spitalin e Tiranës. Ai vuan nga sëmundja e zamës dhe në këto kushte mjekët e spitalit të Fierit kanë kërkuar një kujdes më të specializuar mjekësor. Një nga banoret që kishte shtëpinë pranë pusit, Halime Hoxha, dhe vajza e saj Loreta, se bashku me burrin dhe dy fëmijët e kanë gdhire mbrëmjen e djeshme tek vëllai i burrit. “Jemi larguar nga frika e gazit pasi kemi parë me sytë tanë rastet e djeshme të shumë grave që u kishte rënë të fikët nga gazi”,- tha dje Halime Hoxha. Por kjo situatë shihej edhe në shumë shtëpi të tjera. Ato ishin të braktisura edhe pse banorëve u ishte thënë se situata ishte normalizuar dhe nuk kishte probleme.

Ndotja

Vasillaq Ngresi, nëndrejtori i kompanisë “Albpetrol” tregon se sot (dje) situata është shumë normale. “Specialistët po bëjnë mbylljen e pusit me argjilë dhe për rreth 30 minuta do të mbyllet përfundimisht. Në të tilla punime njihen fontanat dhe është natyrale të ndodhin. Dëme nuk ka pasur si në të mbjellat e fermerëve ashtu edhe në shpezët e tyre. Sot ndotja, e cila është matur tre here nga specialistet tanë është brenda normave të lejuara. Gazi nuk ka pasur përbërje të shumta helmi, ai ka qenë i pastër”,- shpjegoi dje nëndrejtori i kompanisë “Albpetrol”, Vasillaq Ngresi. Por as këto deklarata nuk i kanë siguruar banorët që të kthehen në shtëpitë e tyre. Ata i druhen helmimit nga gazi apo problemeve të tjera që mund të shkaktohen nga shpërthimi i dy ditëve më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›