E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e të miturit, s’gjendet pistoleta

Arma që qëlloi për vdekje 14-vjeçarin E.Shjaku nuk është gjetur ende nga policia e Kurbinit. Ngjarja e rëndë, që u shënua mbrëmjen e së premtes në Milot, ka shkaktuar tronditje te banorët, por më tepër tek autori 13-vjeçar, Sh.Brahja. 

MILOT/ ROLAND NIKOLLI

Ai është ndaluar pak kohë pas vrasjes nga pakujdesia, duke u shoqëruar në komisariat për të dhënë shpjegimet mbi atë që ndodhi. Burime zyrtare të policisë së këtij rrethi bëjnë të ditur se, pas vrasjes i mitur ka pësuar tronditje psikike dhe për pasojë ka hedhur armën pas krimit gjatë rrugës që po largohej. Është dashur rreth 1 orë që të gjendet vendndodhja e tij, pasi ai nga frika se mos prindërit do ta rrihnin, nuk ka mundur të shkojë në shtëpi. Mësohet se vetë të afërmit e Sh.Brahjas kanë ndihmuar policinë në gjetjen e tij. Gjatë dëshmisë në polici Brahja ka treguar dhe çfarë kishte ndodhur. “Bashkë me tre shokët e mi po shkonim në valle, në një dasmë. Kur shkuam te shtëpia, ndaluam para portës dhe po prisnim të hynim brenda. Nxora pistoletën dhe e mbaja në dorë, duke bërë shaka me shokët. Armën ua kam drejtuar edhe dy shokëve të tjerë dhe të fundit E.Shjakut, pa e ditur se kishte fishek në gojë. E kam tërhequr këmbëzën pa dashje dhe vetëm kur e kam parë shokun tim në tokë. E kam lënë përdhe dhe nuk mbaj mend as vetë nga kam ikur. Kisha frikën e policisë dhe të familjes se do më rrihnin. Armën e kam hedhur, pasi nuk kisha besim ta mbaja në dorë sepse mund të zbrazej përsëri. Më vjen keq pasi e kam pasur shok të ngushtë. Nuk doja ta vrisja”. Lidhur me armën e krimit, pistoletë tip “TT” 13-vjeçari ka vazhduar të pohojë se e kishte gjetur në rrugë. Policia ka lënë të lirë të atin e tij, i shoqëruar fillimisht me dyshimin se pistoleta i përkiste atij.
Aktualisht autori i vrasjes aksidentale po mbahet në një nga dhomat e komisariat të policisë së Laçit, jashtë birucave të burgut. Në pritje të vendimit të gjykatës, policia shprehet se ai nuk ka mbushur moshën dhe duhet të dërgohet në një ambient riedukimi. Por, nisur nga fakti se te ne mungojnë këto qendra, i takon gjykatës të vendosë. Momentalisht Sh.Brahja mbahet nën kujdesin e një psikologu, për shkak të gjendjes së tij të tronditur.
Mesditën e djeshme është kryer ceremonia mortore e E.Shjakut, ku të pranishëm kanë qenë jo vetëm familjarët e tij, por e gjithë komuna e Milotit. Në varrim kanë qenë të pranishëm dhe njerëzit e shokut të tij të ngushtë, Sh.Brahjas. Rreth 30 burra të fisit Brahja midis tyre edhe i ati, Qemal Brahja, i kanë dhënë lamtumirën e fundit 14-vjeçarit.

Zbardhet plagosja e 23-vjeçarit,u qëllua pa dashje nga vëllai
MIRDITE – Tenton të vrasë një person, plagos të vëllanë. Zbardhet ngjarja e plagosjes së 23-vjeçarit, Besmir Gjini, ndërsa shikonte një ndeshje minifutbolli në qytetin e Rrëshenit. Policia e Lezhës pohoi dje zyrtarisht, se autori i ngjarjes është Kreshnik Gjini, i arrestuar tashmë. Dy vëllezërit Gjini kanë nisur të grinden pas një konflikti me Elidon Gjokën, duke e qëlluar me mjete të forta. Më pas ai u është kundërpërgjigjur, duke bërë që Kreshnik Gjini të nxjerrë pistoletën për të qëlluar ndaj Gjokës. Plumbi ka kapur të vëllanë, Besmirin. Me shpejtësi autori ka hedhur armën, duke transportuar për në spital të plagosurin. Fillimisht Kreshnik Gjini deklaroi se ka plagosur pa dashje të vëllanë, por më pas, të dhënat zbardhën të vërtetën, duke i çuar të dy nën akuzë. Besmir Gjini ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje kritike për jetën, pas plumbit të marrë në trup. Ndaj dy vëllezërve rëndojnë akuzat e “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.                                  r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›