E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvritet 36- vjeçari, e lanë gruaja dhe fëmijët

ELBASAN- Një 36- vjeçar ka mbërritur në gjendje kritike për jetën dhe ka gjetur vdekjen në spitalin e Elbasanit pasi kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme fostoksine. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së shtunës kur Bardhyl Paja, 36 vjeç, me banim në fshatin Kajan të rrethit të Elbasanit, është gjetur nga të afërmit i shtrirë dhe me tabletat e konsumuara të fostoksinës. Me një mjet të rastit, të afërmit e kanë transportuar drejt spitalit kirurgjik të Elbasanit por i helmuari ka mundur të jetojë vetëm disa minuta dhe ka gjetur vdekjen. Shkaku që ka sjellë edhe vendimin fatal të 36- vjeçarit ka qenë largimi i bashkëshortes dhe dy fëmijëve nga shtëpia pas një grindjeje mes tyre. Sipas të afërmve, largimi i tyre ka sjellë edhe depresionin tek Bardhyli, i cili e ka përjetuar mjaft keq këtë gjë. Grindjet në çift vazhdonin prej kohësh dhe shkak ishte xhelozia. Sherret janë bërë të vazhdueshme deri në vendimin e largimit të gruas, e cila mëngjesin e së shtunës është ngritur herët ka bërë gati dy fëmijët e saj dhe është larguar tek prindërit. 36- vjeçari nuk e ka pasur shumë të vështirë të gjejë helmin e fortë, ka konsumuar katër kokrra dhe ka pritur vdekjen pa lëvizur nga shtëpia e tij. Të afërmit kanë shkuar të trokasin pasi nuk kishin parë asnjeri dhe kur kanë hyrë në shtëpi e kanë gjetur të shtrirë në fund të jetës Bardhylin. Edhe pse është transportuar menjëherë në spital, për të nuk ka pasur asnjë shpresë jete. Sipas mjekëve, sasia e helmit ka qenë e madhe dhe koha e gjatë deri në transportin në spital kanë shkaktuar vdekjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›