E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, ku shkon fondi i SHBA

Fondi prej 16.4 milionë dollarë që Bordi i Sfidës së Mijëvjeçarit i ka akorduar Shqipërisë për vitet 2008-2010, do të përdoret në pesë fusha në luftën kundër korrupsionit. 

ADI SHKEMBI

 Zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu, ka përshëndetur dje vendimin e fundit të Bordit, i cili ka firmosur një tjetër fond për qeverinë shqiptare, pas fondit prej 13.8 milionë dollarë të akorduar 2 vjet më parë. “Kjo mbështetje vjen pas përmbushjes me sukses të katër projekteve të fazës së parë: hapja e Qendrës së Biznesit “One Stop Shop”, Prokurimi Elektronik, institucioni i Avokatit të Prokurimeve dhe projekti i Taksës Elektronike, për të cilat qeveria amerikane financoi 13.8 milionë dollarë në vitet 2006-2008.
Fondi i ri, tashmë prej më shumë se 16 milionë dollarësh, i dhënë për fazën e dytë për zbatim gjatë viteve 2008-2010, do të mbështesë pesë projekte të reja, të paraqitura nga qeveria shqiptare”, theksoi dje Bregu gjatë konferencës për shtyp.
Pesë projektet
Shuma prej 16.4 milionë dollarë do të përdoret në pesë fusha, të cilat kanë në qendër të vëmendjes pikërisht parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e ligjit. Sipas zëdhënëses së qeverisë, njëherësh edhe ministre e Integrimit, projekti i parë është krijimi i Gjykatës Administrative, e cila do të garantojë sipas saj drejtësi efiçente, me gjykim të shpejtë dhe profesional, për të gjithë qytetarët apo bizneset që kanë ankesa ndaj administratës. Projekti i dytë ka të bëjë me krijimin e një qendre të vetme për të gjitha llojet e licencave dhe kjo vjen pas përvojës pozitive me qendrën “One Stop Shop”, për regjistrimin e bizneseve. Ministrja Bregu bëri të ditur se pas reduktimit me 2/ 3 të numrit të licencave, me këtë projekt thjeshtohet procedura e dhënies së tyre, duke përfshirë këtu dhe futjen e parimit “Heshtja është miratim”. Dy projekte të tjera të rëndësishme, sipas saj, janë regjistri i planifikimit të territorit dhe taksa elektronike. “Regjistri i Planifikimit të Territorit është një tjetër projekt madhor, që synon shndërrimin e praktikës së sotme të lejeve të ndërtimit në një praktikë tërësisht transparente dhe moderne. Projekti i katërt është në mbështetje të implementimit të ligjit të ri të procedurave tatimore, i cili transformon rrënjësisht marrëdhënien e taksa- paguesve me administratën tatimore”, theksoi Bregu. Ndërkohë që fusha e pestë në të cilën do të përdoren pjesë nga fondi i Bordit të Sfidës së Mijëvjeçarit, ka të bëjë pikërisht me bashkëpunimin mes Qeverisë dhe Prokurorisë në njësinë hetimore antikorrupsion. “Suksesi i Njësisë së Përbashkët Hetimore Antikorrupsion, prej punës së të cilës është bërë i mundur zbulimi dhe vënia para drejtësisë e mbi 100 individëve të korruptuar, ka qenë garancia për të siguruar mbështetjen që ky model bashkëpunimi midis Prokurorisë dhe Ekzekutivit, deri tani vetëm në Tiranë, të shtrihet edhe në gjashtë qytete të tjera, Shkodër, Fier, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Korçë”, theksoi Bregu.

LSI: Zonat informale pa karta identiteti
Zv.sekretarja e Përgjithshme e LSI-së, Brizida Gjikondi, shprehu shqetësimin e saj për problematikën në pajisjen me karta identiteti të banorëve të zonave informale. “Shkelja tjetër flagrante që po shoqëron procesin e kartave të identitetit, ka të bëjë me qindra mijëra shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në zona informale që janë ende të paidentifikuar dhe rrjedhimisht s’mund të pajisen me karta identiteti”, tha Gjikondi. Duke shigjetuar me kritika Nishanin, LSI nuk i kurseu ato edhe për kryebashkiakun Rama. “Pavarësisht shkresave dhe udhëzimeve antiligjore që lëshohen nga zoti Nishani, por fatkeqësisht dhe nga kryebashkiaku Rama për të pajisur me adresor dhe zonat informale, tashmë është tepër vonë për të zgjidhur në mënyrë të strukturuar dhe serioze këto dy procese”, tha Gjikondi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›