Berisha prezanton buxhetin para deputetëve: Ja tre kushtet
Projektbuxheti i vitit që vjen shkon në investime. Kryeministri Sali Berisha ftoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së deputetët të diskutojnë dhe miratojnë pr/buxhetin 2012, ndërsa akuzoi PS-në se mashtron me programet për heqje taksash. Berisha ia ka kushtuar shumicën e fjalës së sotme buxhetit të shtetit për vitin 2012. Kreu i qeverisë tha se buxheti i vitit 2012, pavarësisht krizës globale, do të mund të mbështesë axhendën politike, objektivat madhore të qeverisë. “Ky buxhet është më i madhi që qeveria shqiptare ka paraqitur në Kuvend dhe që është votuar ndonjëherë”, u tha Berisha deputeteve. Sipas kreut të qeverisë, tre kushtet kryesore të buxhetit të ri do të jenë: Kontrolli i borxhit, deficiti buxhetor ndër më të ulëtit në hapësirën e BE-së dhe kontrolli i inflacionit. “Jemi të gjithë dakord që skeleti makroekonomik duhet të respektohet me çdo kusht. Pra, ruajta e treguesve makroekonomikë në nivele të shpallura nga qeveria e të pranuara si të shëndetshme, përbën përparësi madhore për ne. Në gjetëm një borxh 72% të GDP-së e kur kreditë përdoreshin për të paguar rroga dhe pensione. Por, në sajë të reforma ekonomike, ia kemi dalë të ulim borxhin nën 60% e të mbajmë deficitin buxhetor me standarde, të kontrollojmë inflacionin. Ia dolëm të dyfishojmë rrogat dhe pensionet e ulëta”, tha Berisha. Kryeministri tha se edhe më 2012-ën Shqipëria do të listohet në të paktat vende që do rrisin rrogat dhe pensionet, ndërsa garantoi se nuk do të ketë rritje taksash. Buxheti i vitit 2012, theksoi dje Berisha, do të jetë përfitim dhe për fermerët. Kreu i qeverisë garantoi se fermerët shqiptarë do mund të konkurrojnë me ata të vendeve të BE-së. Po kështu, Berisha ironizoi studimet e socialistëve në programin për heqje taksash. “Të thuash që do heq taksën e miellit, por do prek bukën e grurin dhe pastaj thua jo nuk do heq të miellit por të bukës, ke gënjyer tri herë. Por, mjerë ata që tentojnë të gënjejnë shqiptarët. Ata do t’ua presin vetë faturën”, deklaroi Berisha duke iu referuar edhe programit të ri ekonomik të prezantuar nga kryesocialisti Edi Rama.
I ndalur te Kongresi i PS-së që nisi punimet të shtunën, Kryeministri cilësoi Kongresin si një autobus që ndjek vetëm një rrugë; ndërsa programin, një Kurban që nuk u pranua. “Autobusi i Kongresit ecën para, drejt etërve të tyre, vetëm në atë rrugë. E cilësoi Topalli, Kurban-Kongres, por në doktrinë kurbanin duhet ta pranojë i Gjithëfuqishmi, dhe kurbani quhet kur pranohet. Por, kur nuk pranohet, shkon kot. Atij nuk iu pranua, UFO-t nuk kanë shanse të pranohen. Z. UFO nuk pranohet, tentativa e tij dështoi”, tha Berisha në mbledhjen e sotme të grupit të PD-së.