Financat “shkurtojnë” buxhetin 2011 edhe me 120 mln euro
Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë në 129.8 miliardë e lekë, nga 344 miliardë lekë që u programuan në korrik kur u rishikua buxheti
Buxheti që Ministria e Financave pret të finalizojë në fund të këtij viti do të jetë plot 15 miliardë lekë më pak se buxheti i rishikuar i këtij viti ose rreth 120 milionë euro më pak. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, Qeveria ka hartuar treguesit e buxhetit të vitit 2012, mbi pritshmëritë e buxhetit të këtij viti, të cilat rezultojnë shumë më të ulëta se ato të korrikut të këtij viti. Të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë në 129.8 miliardë lekë, nga më shumë se 344 miliardë lekë që u programuan në korrik kur u rishikua buxheti. Kështu deficiti i ri i krijuar në buxhet pas rishikimit të korrikut do të rezultojë plot 15 miliardë lekë ose 120 milionë euro. Mosrealizimi i planit edhe pas shkurtimit të buxhetit në muajin korrik, pritet të vërë buxhetin e shtetit për periudhën e mbetur përballë dy skenarëve, sipas burimeve në Ministrinë e Financave. Skenari i parë do të jetë një tejkalim i deficitit buxhetor përtej parashikimeve ligjore 3.5 për qind dhe skenari i dytë do të jetë shkurtimi i mëtejshëm i shpenzimeve publike. Me ecurinë e deritanishme të ritmeve të mbledhjes së të ardhurave, zbatimi njërit prej skenarëve është i pashmangshëm. Mirëpo, sipas burimeve në Ministrinë e Financave, qeveria pritet të marrë në konsideratë një mosrealizim tjetër të shpenzimeve publike, sesa të rrisë kufirin e deficitit, pasi, për shkak të krizës që po kalon eurozona, ky do të ishte varianti i palejueshëm. Mirëpo burimet nga Ministria e Financave dhe ekspertë të mazhorancës në komisionin parlamentar të Ekonomisë sugjerojnë se qeverisë i duhet të mbyllë këtë vit buxhetor me mosrealizim të ardhurash dhe shpenzimesh në të njëjtën kohë. Deficiti buxhetor këtë vit është 3.5% ose 46 miliardë lekë, ndërkohë që deri më tani qeveria ka konsumuar nga kjo shumë mbi 30 miliardë lekë. Mirëpo mosrealizimi i të ardhurave nga ana tjetër e zgjeron edhe më tej deficitin, nëse qeveria vijon të realizojë shpenzimet sipas buxhetit të rishikuar. Me gjithë problematikën që vijon të shoqërojë zhvillimet në buxhet, ndryshimet e pritshme nuk kanë më gjasa të kalojnë në Parlament. Por thjesht buxheti i vitit 2011 mbyllet me një mosrealizim të planit të të ardhurave. Ky reduktim i të ardhurave pritet të kalojë me një akt normativ në Kuvend në ditët e fundit të vitit. Në mes të këtij viti qeveria shqiptare u shkurtoi shpenzimet e buxhetit me 18 miliardë lekë dhe të ardhurat me rreth 14 miliardë lekë për shkak të problematikës që u shfaq në mbledhjen e të ardhurave, të cilat rezultuan shumë më pak se programimet. Mirëpo edhe pas rishikimit të buxhetit, të ardhurat që pritet të grumbullohen deri në fund të vitit do të jenë shumë më të ulëta se pritjet e reja të korrikut.