Shtatori ul deficitin tregtar me 8,6%
Deficiti tregtar i shtatorit ka shënuar një ulje me 8,6% krahasuar me muajin paraardhës. Ndërsa krahasuar me shtatorin e një viti më parë, është rritur me 10,5%.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave bëjnë të ditur se në shtator 2011 u eksportuan 16,949 mln lekë mallra, me rritje 26.3 për qind në krahasim me gusht 2011 dhe rritje me 23.2 për qind në krahasim me shtator 2010. Përsa i përket importeve, janë importuar 45,585 mln lekë mallra me rritje 1.9 për qind në krahasim me gusht 2011 dhe rritje 14.9 për qind në krahasim me shtator 2010. Të njëjtat të dhëna të INSTAT-it tregojnë se tregtia me vendet e BE-së është 65.8 për qind. Shkëmbimet tregtare vazhdojnë të jenë me Italinë dhe Greqinë. Me Italinë eksporti është 53.5 për qind dhe importi 28 për qind; ndërsa me Greqinë, eksporti është 5.1 për qind dhe importi 11.2 për qind. Ndërsa disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur janë për eksportin: Greqi, Itali, Maqedoni, SHBA, Spanjë etj., dhe për importin: Gjermani, Greqi, Maqedoni, Rusi, Zvicër etj. Në këtë mënyrë, eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 2 herë, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 66.3 për qind, “Tekstile dhe këpucë” u rrit 45.1 për qind etj. Eksporti i grupit “Ushqime, pije, duhan” u ul 0.2 për qind. Importi i grupit “Tekstile dhe këpucë” u rrit 49.1 për qind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 45 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 36.2 për qind. Importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 34.9 për qind. Në shtator 2011 importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 5,792 mln lekë, duke zënë 12.7 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me gusht 2011, importi i mallrave me akcizë ka patur ulje prej 42.2 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara, 69.5 për qind, e zënë nënproduktet e naftës.