Berisha prezanton drejtuesen e AIDA-s

Në një konferencë për shtyp, Berisha ka deklaruar se kjo agjenci është ngritur pas konsultimeve intensive me ekspertë ndërkombëtarë.
“Jemi konsultuar me ekspretët më të mirë të investimeve, të cilët kanë bërë një punë intensive në Shqipëri. Ata kanë studiuar të gjitha potencialet e Shqipërisë, burimet natyrore e njerëzore dhe arritën në përfundimin se Shqipërisë i mungon agjencia e përshtatshme për investimet dhe zhvillimin dhe se ajo duhej ngritur”, ka deklaruar Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, AIDA do të ketë një bord të sajin, që do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë, ekspertë të fushës së investimeve, si dhe të biznesit privat.
“Shqipëria kishte nevojë për një agjenci që udhëhiqet nga një bord, ku vendimmarrësit kryesorë të jenë përfaqësues të biznesit privat. Në krye të saj parashikohet të jetë kryeministri, pas të cilit do të vijë zëvendëskryeministri. Ndërsa drejtori ekzekutiv i bordit është propozuar Eneida Guria, e cila do ta shndërrojë këtë agjenci në një histori të dytë suksesi”, ka pohuar Berisha.
Kryeministri ka shtuar më tej se një prioritet i AIDA-s përvec investimeve do të jenë edhe eksportet.