E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha prezanton në Mirditë, Kukës dhe Krumë platformën “Shqipëria superfuqi energjetike”

27-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha ka qenë sot paradite në qytetin e Kukësit, ku ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për kryetar bashkie zotin Hasan Halili. Kryeministri vlerësoi kandidaturën e zotit Halili dhe i kërkoi banorëve të Kukësit që ta rivotojnë atë me 8 Maj për të përfunduar projektet dhe ëndrrën e nisur  së bashku me të për një Kukës Europian. Kryeministri premtoi se do të shtohen investimet në qytetin dhe qarkun e Kukësit, si në infrastrukturë ashtu edhe në ujësjellës, kanalizime dhe sistemin vaditës.  “Do të ndërtohen dhe rindërtohen të gjitha shkollat,si dhe  do të mbështetet nga qeveria fuqishëm  prodhimi industrial”, tha kryeministri.

Kryeministri Berisha u shpreh  se pas katër vitesh, çdo familje  e Kukësit dhe e mbarë Shqipërisë do të furnizohet me ujë të pijshëm  njëlloj si qytetarët e Europës, dhe se do të përfundojë  së shpejti rruga  Kukës-Peshkopi,  Kukës-Krumë,  Kukës -Shishtavec ,  si dhe të gjitha rrugët dhe rrugicat e Kukësit  do të asfaltohen, të gjitha rrugët e komunave dhe fshatrave do të lidhen me akset kombëtare. ”Kukësi turistik do të jetë një nga objektivat tona.  Kukësi  është rrethi i potencialeve të jashtëzakonshme.  Në këtë rreth potencialet  energjetike janë  ndër  më të mëdhatë, degët e Drinit ,krahas  Vjosës, janë  burimet më të mëdha energjitike për tu shfrytëzuar në Shqipëri”- theksoi ai.

Kryeministri i kërkoi banorëve të Kukësit, që të gjithë zonën ta veshin me pemë frutorë. “Ju garantoj, dhe ju jap fjalën se do të financojmë çdo rrënjë arre, lajthie, molle, vresht  që ju do të mbillni në mënyrë që ne të qindrafishojmë  prodhimin e frutave në këtë vend të bekuar” tha kryeministri Berisha.

Fjala e kryeministrit
Së pari, do të përulem me nderimin më të madh para jush, me mirënjohjen më të thellë, respektin më të palëkundur për mbështetjen tuaj të palëkundur, që i keni dhënë Partisë Demokratike nga dita e themelimit të saj gjer më sot.  Dua t’ju siguroj se kjo mirënjohje, ky nderim dhe respekt, me përkushtimin më të madh,  do të  përpiqem  t’jua  shpërblej  siç e meritoni, unë dhe qeveria shqiptare.

Jam sot tek ju, për të paraqitur kandidat për qytetar të parë të qytetit të Kukësit , kryetarin aktual të bashkisë zotin Hasan Halili. Por jam këto gjithashtu për t’ju dhënë ju fjalën e nderit se suksesin e Hasan Halilit dhe të kryetarëve të tjerë të komunave të këtij rrethi,  datën 8 maj sëbashku me ta, sëbashku me të gjithë ju, do ta shndërrojmë në një sukses të vërtetë për secilin prej jush, për një mirësi të vërtetë për secilin prej jush, për Kukësin, komunat e tij dhe mbarë Shqipërinë.

Vij këtu për tu zotuar para jush, se katër vitet që vijnë, investimet në rrugët e këtij qyteti, komunave dhe fshatrave, në ujësjellësin e këtij qyteti në komunat dhe fshatrat tuaj, do të shumëfishohen.  Pas katër vitesh çdo qytetar dhe banor i këtij  rrethi, do të udhëtojë në rrugë të asfaltuara si të gjithë qytetarët e Europës.

Pas katër vitesh, çdo familje  e Kukësit dhe e mbarë Shqipërisë do të furnizohet me ujë të pijshëm  njëlloj si qytetarët e Europës, do të përfundojmë  së shpejti rrugën  Kukës-Peshkopi,  Kukës-Krumë,  Kukës -Shishtavec ,  të gjitha rrugët dhe rrugicat e Kukësit  do ti asfaltojmë, të gjitha rrugët e komunave dhe fshatrave do ti lidhim me akset kombëtare.

Në Kukës, fshatra  dhe komuna,  do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, në mënyrë që fëmijët tuaj të shkollohen njëlloj si fëmijët  e mbarë Europës.  Do të ndërtojmë kudo sistemin e kanalizimeve sistemin  e vaditjes, do të mbështesim fuqishëm prodhimin industrial.  Kukësi turistik do të jetë një nga objektivat tona.

Vëllezër dhe motra

Në rrugën tonë të lirisë, këto 20 vite askush , asnjë komb tjetër nuk është ngritur si vigan nga hiri dhe të ketë shënuar rezultatet që kemi shënuar ne.  Ne mblidhemi sot në këtë shesh si burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, që Shqipërinë  e falimentuar, Shqipërinë e shkëputur nga bota, Shqipërinë vendin më të  izoluar  e ngritëm më këmbë, e bëmë vend anëtarë  të NATO-s, sot lëvizim të lirë në mbarë Europën.

Vetëm vitet e fundit ne  burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat  e shndërrimit të ëndrrave në realitet po ndërtojmë  në Shqipëri me shpejtësi të madhe, rrjetin  rrugorë më të mirë në Ballkan, ndër më të mirët në Europë.

Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj ne po ndërtojmë në Kukës, në Has, në Tropojë, në Gjirokastër, në Kolonjë, në mbarë Shqipërinë, Europën e bukur.

Vitet e fundit ne sëbashku ia dolëm që ekonominë shqiptare, që rënkonte ta nxjerrim në krye të rritjes ekonomike të Europës. Ia dolëm sëbashku me mund, me djersë dhe sakrificë të ndërtojmë rrugën e kombit veprën më të madhe të shqiptarëve të të gjitha kohërave.

Ne ia dolëm të ndërtojmë Korridorin e Kombit, por dhe të dyfishojmë pensionet të mbi dyfishojmë rrogat, të dyfishojmë ndihmën ekonomike. Ne jemi gratë dhe burrat e suksesit, djemtë dhe vajzat e suksesit.

Jemi burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat,  që do të kthejmë ne realitet me shpejtësi ëndrrën tonë Europiane , Shqipërinë Europiane.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kukësit

Shqipëria është vendi më i bekuar, Shqipëria është vendi me pasuritë më të mëdha.  Zoti i ka dhënë malet, por male me minerale nga më të çmuarat, malet me ujërat më të pashtershme, malet me potencialin më të madh turistik.  Shqipëria ka brigjet më mahnitëse, ka njerëzit më punëtorë, ka rezervat më të mëdha ndaj dhe ne sëbashku me besim të madh tek njëri-tjetri, le të vazhdojmë rrugën e lirisë, përpjekjen tonë për të ndërtuar të ardhmen tonë më të shkëlqyer në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë.

Kukësi  është rrethi i  potencialeve të jashtëzakonshme.  Në këtë rreth potencialet  energjetike janë  ndër  më të mëdhatë, degët e Drinit ,krahas  Vjosës, janë  burimet më të mëdha energjitike për tu shfrytëzuar në  Shqipëri.  8 hidrocentrale janë në ndërtim e sipër, shumë të  tjerë  presin  fillimin e punimeve.  Kukësi do të ketë parkun e vetë  industrial, Kukësi do të ketë stadiumin e tij për sportin dhe rininë.

Zoti  kryetar i ardhshëm i Bashkisë

Kukësi në këto katër vite do të jetë Kukësi i zhvilluar, Kukësi  Europian, Shqipëri Europiane.  Ndaj do të bëni të gjitha projektet që çdo qytetar  ta ndiejë  veten si në çdo qytet të Europës.

Qytetarë dhe qytetare  të Kukësit dhe të mbarë Shqipërisë, ne po ecim me shpejtësi drejt zhvillimit. Revolucioni industrial shqiptarë  ka bërë që Shqipëria  vitin  e kaluar të jetë i vetmi vend  në Europë dhe në botë  me rritjen  63% të eksporteve.

Rezervat  ujore të këtij vendi që të marra sëbashku  bëjnë sa Danubi, po shndërrohen çdo ditë dhe më shumë në  vlera të mëdha  energjitike.  Shqipëria do të bëhet super fuqi  energjitike e Rajonit , Shqipëria do të jetë kryevendi i energjisë së gjelbër në Rajon.

Shqipëria do të ketë brenda  2-3 viteve  rrjetin rrugor më modern dhe më të ri në Europë , 8000 kilometra rrugë  kemi asfaltuar gjatë këtyre viteve  dhe gjithë çka mbetur do ta asfaltojmë, do ti shkurtojmë distancat, do ti çajmë malet, do të bëjmë që ju të fitoni 50-70% të kohës që ju duhet për  destinacionet që përcaktoni.

Së bashku në një kohë të shkurtër ia kemi dalë të ngjitemi me shpejtësi  drejt moshës dixhitale, moshës së fëmijëve që nga 4.3 %, që ishim në 2006, jemi  50%  tani dhe do të dalim mbi mesataren e Europës. Sëbashku ia dolëm sot që këtë vit  91% e të gjithë fëmijëve tanë që mbarojnë klasat e nënta, të ulen në bankat e shkollave të mesme dhe 70% e maturantëve të ulen në auditorët  e universiteteve.  Zoti i bekoftë fëmijët tanë . Këto janë treguesit ndër më të lartët në Europë dhe ne do ti lartësojmë  ata  edhe më shumë.

Ka një lutje,  Shqipëria ka një kërkesë ndaj  çdo qytetari ndaj çdo fermeri, Shqipëria  pret  me padurim ta shndërrojë në kopshtin më madhështor më të bukur të Europës, ta veshim nga Konispoli në Vermosh, nga Morina  në Sarandë ta veshim me pemët më të bukura dhe më të shijshme që ka Europa.

Ndaj dhe lutja ime për  çdo qytetar dhe qytetare, për çdo fermer  të Kukësit  dhe të mbarë Shqipëri, të projektojë të mbjellë kopshtet më të bukura, ta shndërrojmë Shqipërinë  në prodhues kryesor të arrorëve të drurëve të tjerë frutore.  Le të shkojmë ne drejt Europës  edhe me aromën  dhe me shijen e prodhimeve tona  të mrekullueshme.

Ju garantoj dhe ju jap fjalën se do të financojmë çdo rrënjë arre, lajthie, molle, vresht  që ju do të mbillni në mënyrë që ne të qindrafishojmë  prodhimin e frutave në këtë vend të bekuar.

Kjo është alternativa jonë, alternativa e mundit, e djersës, e kallove, alternativa e rrudhave në ballë, alternativa e pluhurit në fytyrë, alternativa e suksesit të madh, alternativa e anëtarësimit në NATO, alternativa e anëtarësimit në Europë, e rritjes së rrogave, e rritjes së pensioneve.  Krahas kësaj alternative doli së fundi nga veprat e diktatorit mizor, alternativa e rrugës së vetme, të cilën po e qarkullon nëpër Shqipëri kryetari i Partisë Socialiste.

Pavarësisht  se e ka marrë nga veprat e babës të tij shpirtëror Enver Hoxhës, dua ti them këtu se kurrë ndonjëherë  më ato kohëra nuk kthehen, mirë po ajo alternativë për veç anës së të shkuarës  së zezë ka rikthyer  anën tjetër të medaljes të sharjes  të shpifjeve të trillimeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin e qytetarëve të lirë, me moralin e qytetarëve shqiptarë.

Ndaj dhe e ftoj zotin Rama, si drejtues i një force politike të rëndësishme, t’ju paraqesë shqiptarëve alternativën e tij, sepse sharjet, shpifjet, trillimet, shqiptarët si çdo komb tjetër i qytetëruar kanë për to kazanin, kazanin dhe vetëm kazanin.

Në këtë alternativë të rrugës së vetme, rruga e kombit u quajt rruga e asgjëkundit, rrugët,  ndërtimet shkollat, interneti, quhen të pa qenë në këtë alternativë, përbaltet lumi i sakrificave, djersës mundit tuaj për të ndërtuar një Kukës tjetër, një Shqipëri tjetër.

Por ju garantoj se çfarëdo që të shpifë, të trillojë dhe të shajë nuk kam ndërmend të merrem as edhe një sekondë me të.  Do të merremi vetëm me ju, me njëri-tjetrin, me hallet tona, me dertet  tona me përkushtimin  e  vizionin tonë, me projektet tona, me Kukësin qytet i zhvilluar me Shqipërinë vend i zhvilluar, me Kukësin kopsht i bukur, në veriun e Shqipërisë.  Shqipërinë kopshti më i bukur me madhështor në Europë.  Për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Kukësi është i pari, Shqipëria është e para. Ndaj dhe ju ftoj me 8 maj të votoni Hasan Halilin, të votoni kandidatët e “Aleancës  për Qytetarin”, të votoni si qytetarë  Europiane, të vendosim të gjithë sëbashku në  ndërtesën e bukur që ndërtojmë, një tullë te re për ta bërë atë më të bukur më të fortë me Europiane, për të lartësuar gjithnjë e më shumë idealin tonë të lirisë.

8 maji është dita juaj është dita në të cilin ju do të vendosni për katër vitet që vijnë, për  sukseset e tjera të mëdha, për integrimin në Europë, për shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar, për shndërrimin e Shqipërisë në kopshtin më madhështor dhe më te bukur të Europës siç e ka bërë zoti.

Në Mirditë
Mirdita do jetë një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të mineraleve dhe energjisë në vend
 
Kryeministri Berisha, në vijim të takimeve të prezantimit të alternativës për qytetarin dhe mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit, zhvilloi sot në mesditë një takim me qytetarë të Rrëshenit, Mirditë.

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe mbështetjen për kandidatët për kryetar bashkie në Rrëshen Gjon Deda dhe Mark Ruci, në Rubik, si dhe garantoi qytetarët e Mirditës se qeveria do të shumëfishojë investimet për këtë rreth dhe do të financojë çdo projekt për zhvillimin e tij. Mirdita, - tha Kryeministri  - është një vend me pasuri të jashtëzakonshme, në ujëra dhe minerale dhe vitet që vijnë do ta faktojnë Mirditën një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të këtyre mineraleve, si dhe do të ndërtohen dhjetëra hidrocentrale, për ta bërë Mirditën një prodhues të rëndësishëm të energjisë në këtë vend.

“Së pari, ju përshëndes shumë përzemërisht dhe me mirënjohje të thellë ju falenderoj juve, grave e burrave të Mirditës, për mbështetjen e madhe që i keni dhe i jepni Partisë Demokratike dhe mazhorancës aktuale, në përpjekjet e saj, së bashku me ju, për të shndërruar Mirditën dhe Shqipërinë në një vend të zhvilluar.

Së dyti, shpreh kënaqësinë që paraqes sot, për kandidat për kryetar bashkie në Rrëshen e Rubik kryetarët tuaj aktualë, dy nga qeveritarët vendorë më të talentuar të Shqipërisë, të cilët i bëjnë nder qeverisë, Partisë Demokratike, i bëjnë nder çdo qytetari të Mirditës dhe me të cilët Sali Berisha krenohet me punën, moralin dhe aftësitë e tyre.

Unë jam sot, këtu, për t’u dhënë juve fjalën e nderit se këto katër vjet, çdo projekt që ju, me mençurinë e punën tuaj, do të hartoni e bëni me kryetarët tuaj të ardhshëm, me kryetarët e komunave, për një Rrëshen modern, Rubik modern dhe Mirditë të zhvilluar, qeveria shqiptare do ta financojë në mënyrë që këto katër vite të jenë vitet, në të cilat ne të kemi vendosur Shqipërinë, të kemi vendosur Mirditën në vendet e zhvilluara.

Këto vite, në rrugën e lirisë, ne jemi përballur me vështirësi të mëdha, sepse mbi supet tona, mbi shpirtin e mbi zemrat tona rëndonte një vend pothuajse i falimentuar, një vend, nga i cili për kafshatën e gojës u detyruan të largohen qindra e mijëra djem e vjaza të tij. Kët vite kanë qenë vite kur ne të gjithë kemi derdhur djersë, mund, e kemi provuar sakrifica, por kanë qenë edhe vitet më të ndritura të historisë sonë, të historisë së gjithsecilit prej jush. Këto vite, ne sëbashku u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe Mirditën, Shqipërinë, vendin më të izoluar në Europë e në botë, e anëtarësuam në NATO. Ne jemi ata që bëmë realitet ëndrrën e lirisë kombëtare. Këto vite, ne, njerëzit që jetonim të rrethuar nga telat me gjemba, sot lëvizim të lirë në Europë pa viza, me pasaportat më moderne të Europës.

Në këto vite, ne, që kishim infrastrukturën më të prapambetur të Europës e një nga më të paprambeturat në botë, po ndërtojmë së bashku infrastrukturën më moderne dhe në tre vjet, Shqipëria do të ketë infrastrukturën më të mirë në Europën Juglindore dhe një nga infrastrukturat rrugore më të mirat në Europë. Në territorin tuaj lëshoi shtat madhërishëm një ëndërr kombëtare, madhështore dhe e pavdekshme, korridori i kombit, vepra më e madhe që shqiptarët kanë ndërtuar në të gjitha kohërat.

Në këto vite, së bashku ia dolëm që një arsim që po degradonte ta shndërrojmë në arsim që po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Këtë vit, 91 përqind e fëmijëve tanë që mbarojnë klasën e 9-të u ulën në bankat e gjimnazeve e shkollave të mesme, 70 përqind e maturantëve tanë u ulën në bankat e universiteteve. Këto dy tregues janë nga më të lartët në Europë e në botë dhe ne edhe më lart do t’i çojmë ato. Këti vit, të gjitha shkollat e vendit kanë internet, janë në moshën dixhitale.

Sëbashku ia dolëm që një ekonomi që po falimentonte, me lumenj djerse, me muskuj tanë dhe kallot e duarve tona, me pluhurin në fytyrë e rrudhat tona, ta shndërrojmë në ekonominë me rritjen më të madhe në Europë.

Ne vërtet kemi vuajtur, jemi njerëz të mundimit, të sakrificave e dhimbjeve, por jemi edhe njerëz të arritjeve historike, të arritjeve të jetës së gjitsecilit dhe ju garantoj se në këtë rrugë do të ecim me shpejtësinë më të madhe. Katër vitet që vijnë, jam sot për t’ju dhënë fjalën se investimet në rrethin tuaj do të shumëfishohen dhe në këtë rreth nga Kumbulla, Mërkurthi, afër Kryelurës deri në Kaçinar, nga Fani në Kroll do të asfaltojmë çdo rrugë, do të ndërtojmë çdo shkollë e kopsht, do të ndërtojmë çdo ujësjellës e sistem kanalizimesh që ju, të dashur mirditore e mirditorë, kudo që jeni do të gëzoni infrastrukturën moderne europiane, njëlloj si në qytetet tona më të mira.
 
Ne jemi këtu qëkur ka mbirë lisi, pra, në shpirtin tonë, në ADN-në e zemrën tonë, ne jemi europianë. Por prapë për paudhësitë historike, ne mbetëm shumë mbrapa kombeve të tjera të Europës, sepse ne na mungoi liria. Tani që jemi të lirë, ne po ecim më shpejt se një komb tjetër në rrugën e lirisë. Ne, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj po ndërtojmë Europën në Mirditë, në Gjirokastër, Tropojë e kudo në Shqipëri. Shqipëria do të jetë një nga vendet më të zhvilluara në vitet që vijnë. Me mundin, djersën e përkushtimin tuaj, ju jeni ata që po ndërtoni Shqipërinë, po ndërtoni të ardhmen. Qeveria ka bërë e do të bëjë gjithçka që pasuritë tuaja natyrore, burimet tuaja njerëzore të jenë sa më të vlefshme për ju.

Mirdita është një vend me pasuri të jashtëzakonshme. Malet e Mirditës mbajnë në zemrën e vet rezerva kolosale të mineraleve nga floriri tek bakri e minerale të tjera. Unë jam i bindur se ajo që është shfrytëzuar është vetëm maja e ajsbergut dhe vitet që vijnë do ta faktojnë Mirditën një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të këtyre mineraleve. Mirditën, e cila është vend i pasur në ujëra, ju garantoj se në të katër anët e këtij rrethi do të ndërtojmë dhjetëra hidrocentrale, për ta bërë Mirditën një prodhues të rëndësishëm të energjisë në këtë vend.

 Mirdita ka vende mahnitëse turistike. Gjatë këtyre katër viteve do të çojmë infrastukrën rrugore dhe do të ndërtojmë sëbashku Mirditën turistike. Ne po ndërtojmë infrastrukturën moderne, ne po zhvillojmë një revolucion të vërtetë industrial, ne po bëjmë gjithçka për një Shqipëri supërfuqi energjitike në rajon, për Shqipërinë, një prodhuese e rëndësishme e prodhimit industrial. Vitin që kaloi, ky vend, kjo tokë ishte e vetmja në Europë që pati rritje 63 përqind të eksporteve. Por ne të gjithë sëbshku mund të bëjmë shumë më tepër e duhet të bëjmë, në shenjë dashurie e respekti për Mirditën. Çdo pëllëmbë toke të këtij vendi të bekuar, duhet të vendosim ta qëndisim me pemë, ta shndërrojmë Mirditën, ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më të bukur, më madhështor të kontinentit europian. Zoti e ka bekuar atë dhe në çdo metër katror mund të rritet një pemë. Aroma e shija e tyre është më e mira në botë. Ndaj ju ftoj ju, qytetarëve të Rrëshenit, të Rubikut, ftoj fermerët e Mirditës kudo që janë t’i shndërrojnë katër vitet që vijnë, në vite të themelimit të Shqipërisë - kopshti më i madh në Europë. Qeveria do të financojë çdo dru frutor, fidanin e çdo druri frutor që do të mbillni. Unë ju garantoj juve dhe unë e mbaj fjalën, sapo të përfundojmë këto rrugë që duhet të përfundojmë, pasi rrugët janë jetë, janë zhvillim e çdo gjë, ashtu siç ndërtuan rrugën e kombit, do të ndërtojmë kopshtin e kombit, do ta bëjmë Shqipërinë kopshtim më të bukur.

Ju ftoj më 8 maj, votoni qytetar tuaj të parë, kandidatin e alternativës për qytetarin. Ju garantoj se sot e gjithnjë ju do të jeni në epiqendër të alternativës sonë. Ftoj mirditorët e të gjitha bindjeve të bashkohen me ne. Në shtëpinë tonë, ne ju themi bujrum, urdhëroni, jeni të respektuar, jeni të nderuar. Çdo të mirë, ne duam ta ndajmë me çdo shqiptar, çdo saktrificë duam ta bëjmë me çdo shqiptar, çdo arritje, ta gëzojmë me çdo shqiptar. 8 maji është dita juaj. 8 maji është dita, në të cilën ju vendosni për katër vitet që vijnë. Ju garantoj se për ne ju jeni të parët, familjet tuaja janë të parat, komunitetet tuaja janë të parat, Mirdita është e para, Shqipëria është e para. Rrofshi ju! Rroftë Mirdita! Rroftë Shqipëria!”

Krumë: Të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë vendin më të zhvilluar
 
Kryeministri Berisha ka vijuar sot turin elektoral në qarkun e Kukësit. Fillimisht, Kryeministri u ndal në Krumë dhe në një takim me banorë të kësaj bashkie shprehu vlerësim e mbështetje për z. Bardhyl Peka, kandidat i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të kësaj bashkie. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë që gjatë katër viteve që vijnë do të investojnë çdo projekt për të pasur në këtë bashki shërbime të standardeve evropiane. “Sot unë kam një lutje për ju, banorë të Hasit dhe për çdo shqiptar, të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë vendin më të zhvilluar, të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë kopshtin më të bukur e më madhështor të Evropës”, u shpreh kryeministri, duke vijuar se “vij këtu tek ju për t’ju dhënë fjalën time se në katër vitet që vijnë në këtë qytet dhe në këtë rreth do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë, do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë dhe kopsht, në mënyrë që ju të udhëtoni në rrugë të standardeve evropiane dhe fëmijët tuaj të mësojnë në shkolla e kopshte të standardeve evropiane”. “Në këtë qytet dhe në këtë rreth do të investojmë për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm dhe kanalizime në të katër anët e Hasit, në mënyrë që ju, aty ku jetoni, të keni infrastrukturë të njëjtë me qytetin dhe që fshatrat tuaja t’i keni të zhvilluara njëlloj si fshatrat evropiane”- tha Berisha.

Berisha viziton linjën e re të prodhimit të këpucëve dhe veshjeve “Bertoni” në qytetin e Kukësit
 
Kryeministri Berisha, i cili dje ndodhej në Kukës, u ndal për të vizituar filialin e ri të fabrikës së prodhimit të këpucëve dhe veshjeve “Bertoni”, në këtë qytet. Kryeministri Berisha u takua dhe bisedoi me punonjëset e kësaj fabrike, si dhe me menaxherin e kompanisë “Bertoni”, zotin Paulin Radovani, të cilin e përgëzoi për këtë linjë të re prodhimi që mundëson punësimin e shumë grave dhe vajzave, nga ky qytet dhe zonat përreth. Duke uruar që prodhimet e dala nga duart e tyre të shkojnë në tregjet e mbarë botës, kryeministri premtoi se qeveria do të ndërmarrë në vazhdimësi çdo masë lehtësuese në ndihmë të biznesit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›