Xhaferaj prezanton projektin e Unazës së Madhe me vlerë 3.8 milionë euro

- Kandidati demokrat për bashkinë e Durrësit akuzon dhe rivalin e tij: Vangjush Dako ka bërë punë banditeske
- “Segmenti i parë i kësaj unaze, ai nga Currilat e që përfundon tek Shkolla 9-Vjeçare “Eftali Koçi”, do të përmbyllet brenda vitit 2012”
Kandidati demokrat dhe i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në Durrës, Ferdinand Xhaferaj, prezantoi projektin e unazës së qytetit, i cili kërkon fondin prej 3,8 milion eurove për t’u zbatuar. Xhaferaj e cilësoi unazën si “një ndër projektet më të rëndësishme për vetë zhvillimin që do t’i japë qytetit, duke balancuar qendrën me periferinë e tij.” Ndërtimi i saj është parashikuar në tre segmente. Segmenti i parë, nga Currilat deri në Shkollën 9-Vjeçare “Eftali Koçi”, ku bashkohet me rrugën “Aleksandër Goga”, do të finalizohet brenda vitit 2012. “Ndërtimi i unazës është një ndër projektet më të rëndësishëm për mua, duke parë impaktin që ky projekt do t’i sjellë qytetit” - tha Xhaferaj. Kandidati demokrat tha se “ndërtimi i unazës do të harmonizojë më së miri qendrën me periferinë e qytetit, do të çlirojë trafikun dhe do të kthejë të gjithë qendrën historike të qytetit në një zonë të aksesueshme nga të gjithë turistët të cilët zbresin në portin e Durrësit”. Për ta bërë më të prekshme këtë vlerë të qytetit, ndërtimi i një parkingu nëntokësor në dalje të portit do të bëjë që vizitorët të ndalojnë dhe të futen në brendësi të qytetit”- deklaroi Xhaferaj.
Rëndësia e unazës
Qyteti i Durrësit ka një veçori, e cila është edhe mangësia më e madhe e tij. Durrësi ka vetëm një rrugë hyrëse-dalëse, gjë që shkakton probleme në trafik. Për më tepër, qyteti është i shtrirë dhe zhvillohet në trajtë lineare, duke përqendruar çdo gjë në qendër dhe duke e lënë periferinë pa asnjë lloj shtyse zhvillimi. Ndonëse nevoja për një unazë, që të ndryshojë karakterin e zhvillimit të qytetit, ka qenë e kahershme, ajo asnjëherë nuk është ndërtuar. Kandidati demokrat Xhaferaj ka përcaktuar ndërtimin e unazës si një element shumë të rëndësishëm për të drejtuar zhvillimin e qytetit në të ardhmen. Ndërtimi i unazës, së bashku me ndërtimin e kampusit të ri universitar në Spitallë, do të mundësojë zhvillimin e qytetit në trajtë rrethore dhe policentrike, duke i dhënë kështu rëndësi edhe periferisë. Nga ana tjetër, ndërtimi i unazës do të çlirojë qendrën historike të qytetit nga trafiku i tepërt, duke bërë që ajo të jetë më shumë në funksion turizmit. Kandidati demokrat Ferdinand Xhaferaj siguroi se “në ndërtimin e kësaj unaze është bërë një studim i hollësishëm, duke përllogaritur të gjithë koston dhe ndërhyrjet që do të bëhen.” “Çdo ndërhyrje që do të bëhet në prona apo banesa që do të preken nga ndërtimi i kësaj unaze do të shpronësohen plotësisht, nuk preket asnjë tullë shtëpie pa u shpronësuar plotësisht,” – deklaroi Xhaferaj. Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” i bëri një krahasim projekteve të hartuara prej tij për zhvillimin e qytetit dhe punës katër vjeçare të kreut aktual të Bashkisë, të cilën e cilësoi një maskaradë pasi “janë vjelur taksat e qytetarëve për t’ua dhënë tendera firmave të cilat blejnë betonin e kompanisë “3D” ku Dako është bashkëpronar”. Ai shtoi se “investimet bashkiake për qytetarët në këto katër vite qeverisje janë në masën 40 përqind të buxhetit, ndërsa firma private e Vangjush Dakos e rriti fitimin e saj, për katër vite, nga 3 milionë euro në vit në 12 milionë euro në vit dhe kjo është e gjitha e dokumentuar.” Xhaferaj shtoi se “puna e Dakos në katër vite ka qenë banditeske”.