E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha prezanton zëdhënësen e re të PD-së, Silvi Bardhi

TIRANE – Në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, kryeministri Berisha, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike, prezantoi zëdhënësen e re të forcës që ai drejton, gazetaren Silvi Bardhi.

Gazetarja e njohur zëvendëson në këtë post Albasan Mustafaraj, puna e të cilës u përshëndet përzemërsisht nga kryeministri Berisha.

“Zonja Albana Mustafaraj ka paraqitur përpara shqiptarëve qëndrimet e forcës politike, qëndrimet e PD-së. Albana pati shansin e madh të jetë zëri i PD-së në një nga betejat më të rëndësishme në 20 vitet e fundit, betejën për ndryshimin e Tiranës.”- u shpreh Berisha.

Ndërkohë kryetari i PD-së bëri të ditur se Mustafaraj detyrohet të lërë postin e zëdhënëses së partisë, për një periudhë të caktuar, për arsye personale.

Në lidhje me zëdhënësen e re, kryeministri tha: “Zonjusha Silvi Bardhi është gazetare e talentuar, me një eksperiencë në mediat elektronike dhe mediat e tjera të vendit dhe të huaja. Silvi ka punuar në Kosovë, në Klan Kosova dhe e ka pasur të vështirë shkëputjen nga Prishtina, pasi aty njohu dimensionin tjetër të botës shqiptare, por për Silvin Tirana ishte magneti ndaj dhe u rikthye, si gazetare në ABC. Kronikat e saj janë nga më të plotat, më mbresëlënëset dhe qarkullojnë në të katër anët e kontinenteve.”- përfundoi kryeministri.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›