E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha promovon Shqipërinë në SHBA

19/09/2011  Kryeministri niset në Nju-Jork të marrë pjesë punimet e Asamblesë së OKB-së

Pjesë e delegacionit qeveritar edhe ministri i Jashtëm, Haxhinasto

Jo pak, por për rreth një orë në një ekran që ndodhet në sheshin e Times Square në Nju-Jork do të shfaqet një video promovuese me imazhe nga Shqipëria. Kjo do të bëhet e mundur për shkak të vizitës ditore të Kryeministrit Berisha, e nisur qysh dje për të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të mbajë një fjalim në seancë plenare. Gjatë qëndrimit në Nju-Jork kreu i qeverisë shqiptare do të vizitojë bursën e Nju-Jorkut, NASDAQ, ku do të bëjë mbylljen e një prej sesioneve ditore të bursës në Wall Street. Pikërisht kjo ceremoni do të shoqërohet me transmetimin e imazheve nga vendi ynë. Sipas njoftimit për shtyp në këtë shtet të SHBA-së, shefi i ekzekutivit shqiptar, i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha, do jetë i pranishëm në pritjen që do të japë Presidenti Obama për nder të delegacioneve pjesëmarrëse në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Fokusi kryesor i takimeve dhe aktiviteteve në kuadër të punimeve të sesionit të 66 të OKB-së, do të jetë kryesisht forcimi i bashkëpunimit të Shqipërisë me këtë organizatë dhe reforma e saj; pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në veprimtaritë e OKB-së në fushën e sigurisë dhe paqes, në atë të çarmatimit, në çështjet social-ekonomike, të së drejtës ndërkombëtare, si dhe të të drejtave të njeriut. Një vëmendje e veçantë, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, do t’i kushtohet Kosovës dhe lobingut për rritjen e njohjeve ndërkombëtare të saj. Sa i takon axhendës së vizitës, Berisha gjatë saj do të ketë takime me homologë të tij, personalitete botërore, të pranishëm në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në mënyrë të veçantë ai do të zhvillojë një takim me nënsekretarin e Shtetit për çështjet politike, Ëilliam Burns, si dhe me delegacionin e Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Presidentja Atifete Jahjaga. Dimensioni ekonomik do të jetë një dimension i rëndësishëm i vizitës dhe axhendës së Kryeministrit në Nju-Jork. Po sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrit, ky i fundit do të marrë pjesë në hapjen e Forumit të parë të Investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit dhe sipërmarrjes amerikane. Numri një i qeverisë shqiptare do të bëjë një paraqitje të zhvillimit ekonomik të vendit, të reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, në funksion të krijimit të një mjedisi gjithnjë e më tërheqës e të favorshëm për investimet e huaja dhe të potencialeve që Shqipëria ofron në të gjitha fushat, duke i ftuar sipërmarrësit amerikanë të investojnë në Shqipëri, ku do të gjejnë një mjedis miqësor dhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare. Gjithashtu Kryeministri Berisha do të marrë pjesë edhe në takime e forume të ndryshme, si në lançimin e Partnershipit për Qeveri të Hapur të organizuar nga Presidenti Obama, Samitin e Liderëve të Ballkanit, në hapjen e punimeve të forumit Klinton, në forumin e OKB me sektorin privat, me përfaqësues të diasporës etj.

Diskutimet në OKB

Fokusi kryesor i takimeve dhe aktiviteteve, në kuadër të punimeve të sesionit të 66 të OKB-së, do të jetë kryesisht forcimi i bashkëpunimit të Shqipërisë me këtë organizatë dhe reforma e saj, pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në veprimtaritë e OKB-së në fushën e sigurisë dhe paqes, në atë të çarmatimit, në çështjet social-ekonomike, të së drejtës ndërkombëtare, si dhe të të drejtave të njeriut. Një vëmendje të veçantë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme do t’i kushtohet edhe Kosovës dhe lobingut për rritjen e njohjeve ndërkombëtare të saj.

Vizita e Haxhinastos

Po dje u nis drejt SHBA-ve për të marrë pjesë në sesionin e 66 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në përbërje të delegacionit të kryesuar nga Kryeministri Berisha, edhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Gjatë punimeve të këtij sesioni, kreu i diplomacisë shqiptare do të zhvillojë një sërë takimesh të nivelit të lartë, si dhe do të marrë pjesë në disa aktivitete të rëndësishme, si Forumi i Parë i Investimeve Shqipëri-SHBA. Ministri Haxhinasto do të kryesojë gjithashtu Takimin e Kartës së Adriatikut, me përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit dhe SHBA.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›