E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti i Tiranës, 631 kuota të paplotësuara

19/09/2011  Përfundojnë regjistrimet paraprake, kuotat bosh në tetë fakultetet më të kërkuara të kryeqytetit.

Procedura se si do të plotësohen vendet e mbetura bosh. Më 23 shtator shpallen fituesit përfundimtarë

Mbyllen regjistrimet për fituesit paraprakë në universitetet publike të vendit. Gjatë ditës së djeshme sekretaritë mësimore u kanë dhënë fund regjistrimeve për kandidatët e shpallur fitues gjatë raundit paraprak. Sipas të dhënave të raportuara nga sekretaritë mësimore në fakultetet e Universitetit të Tiranës, që rezultojnë të jenë edhe ndër më të preferuarit për maturantët, konfirmohen rreth 631vende të paplotësuara, çka do të thotë se për këto fakultete, fituesit e regjistruar do të mund të ngjiten në preferenca më të larta gjatë fazës së dytë, ndërkohë që vendet e tyre do të plotësohen me të tjerë kandidatë që ndodhen më pranë pragut të fituesve, sipas secilit program studimor ku kanë rezultuar vende bosh.

Vendet bosh

Ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, për pranimet e 2011-s, numrin më të lartë të kuotave të paplotësuara gjatë fazës së parë rezulton ta ketë Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, me rreth 135 vende bosh në total për të gjitha degët e studimit. Po ashtu edhe Fakulteti i Shkencave Natyrore rezulton të ketë rreth 124 kuota të paplotësuara, si dhe ai Ekonomisë me rreth 123 vende bosh, të cilat priten të plotësohen gjatë raundit të ardhshëm. Ndërsa pranë fakulteteve të tjera, si ai i Drejtësisë, Shkencave Sociale, Mjekësisë, Infermierisë dhe Histori-Filologjisë, numri i kuotave të paplotësuara rezulton të jetë më i paktë. Të dhënat përkatëse mbi kuotat bosh në këto fakultete i gjeni të detajuara në tabelën bashkëngjitur shkrimit.

Plotësimi i kuotave bosh

Pas detajimit të vendeve të mbetur bosh në të gjitha fakultetet publike të vendit, ekspertët e APRIAL-it do të rirregullojnë listën e fituesve përfundimtarë, duke plotësuar edhe kuotat e mbetura bosh gjatë fazës së parë. Sipas afateve të vendosura, në datën 23 shtator pritet të bëhet publike lista zyrtare e fituesve përfundimtarë në universitete. Gjatë kësaj faze, vendet e mbetura bosh pas mbylljes së regjistrimeve paraprake do të plotësohen me të tjetër fitues. Fillimisht do të kontrollohen listat e fituesve aktualë, të cilët në saje të preferencave të përzgjedhura në A2 dhe kuotave të mbetura bosh do të mund të shpallen fitues në një tjetër preferencë më të lartë, krahasuar me degën ku u shpallën fitues në fazën e parë. Lëvizja e preferencave nga më e ulëta deri tek ajo më e larta do të bëhet sërish nëpërmjet sistemit kompjuterik. Pas rregullimit të këtyre preferencave, vendet që rezultojnë sërish bosh do të mbulohen nga kandidatë të tjerë që ndodhen më pranë vijës së hequr për fituesit e fazës së parë. Shpallja e fituesve të rinj do të bëhet më 23 shtator, kohë në të cilën do të vijojë edhe procesi i regjistrimeve definitive në fakultete. Nëse edhe pas këtij raundi do të ketë sërish shumë vende bosh, është menduar që t’u jepet edhe një shans i tretë maturantëve, ku do të hartohet një tjetër formular preferencash ai A3, pjesë e të cilit do të jenë vetëm programet studimore që rezultojnë të kenë një numër të lartë kuotash të parealizuara edhe gjatë mbylljes së fazës përfundimtare. Megjithatë, e gjithë kjo procedurë do të zbardhet nga Ministria e Arsimit pas mbylljes së regjistrimeve përfundimtare.

Shtohen shanset për të marrë një të drejtë studimi në universitetet publike të vendit për kandidatët që nuk u shpallën fitues në raundin e parë. Vetëm në Universitetin e Tiranës, listat e fituesve në tetë fakultetet pritet të spostohen poshtë pragut të hequr për fituesit paraprakë, duke u dhënë kështu mundësinë plot 630 kandidatëve të rinj për të marrë statusin e studentit. Sipas afateve të caktuara, lista përfundimtare pritet të bëhet publike më 23 shtator 2011.

Kuotat e parealizuara në fakultetet e Universitetit të Tiranës

Fakulteti i Shkencave të Natyrës 124 kuota të paplotësuara

Fakulteti i Ekonomisë 123 kuota të paplotësuara

Fakulteti i Histori-Filologjisë 34 kuota të paplotësuara

Fakulteti i Drejtësisë 45 kuota të paplotësuara

Fakulteti i Infermierisë 69 kuota të paplotësuara

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja 135 kuota të paplotësuara

Fakulteti i Mjekësisë 55 kuota të paplotësuara

Fakulteti i Shkencave Sociale 46 kuota të paplotësuara

Totali në tetë fakultetet 631 kuota të paplotësuara

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›