E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegatët sipas parimit “një anëtar, një votë”

19/09/2011  Zgjedhjet e reja, socialistët përfundojnë përpilimin e listave të kandidaturave

Në fillim të tetorit nis votimi. Anëtarësia jep mendime për ndryshimet në statut

Kandidatët për delegatë në kongresin e ri të Partisë Socialiste do t’i nënshtrohen votimit përmes parimit “një anëtar, një votë”. Pritet që rreth datës 10 tetor kandidaturat që do të përfaqësojnë bashkinë apo komunën në forumin më të lartë vendimmarrës do të përballen me votën e anëtarësisë, duke marrë ose jo aprovimin e tyre për të gëzuar mandatin e delegatit të kongresit. Nga ana tjetër, veç përgatitjes për zgjedhjet e reja, proces ky në të cilin është përfshirë e gjithë kjo parti, lidershipi socialist është përqendruar dhe në një tjetër moment të axhendës së punës, e konkretisht në përgatitjen e programit të ri politik dhe të reformës organizative të saj.

Zgjedhjet

Strukturat e PS-së nga qendra në bazë kanë përzgjedhur dhe kanë përpiluar listat me kandidaturat që do të konkurrojnë në garën për delegatë të kongresit socialist, i cili pritet që të mblidhet më 5 nëntor. Ky proces nisi fillimisht me analizat në të gjitha organizatat socialiste e në qendër të tij ishte jo vetëm rezultati zgjedhor, por dhe puna e secilit prej përfaqësuesve socialistë të të gjitha niveleve përgjatë këtij mandati katërvjeçar. Ndërkohë që pas përfundimit të këtyre analizave, grupet e punës së ngritura për një proces të tillë, nën mbikëqyrjen e deputetëve të PS-së kanë përzgjedhur dhe kandidaturat për delegatët e kongresit, që do t’i nënshtrohen votimit sipas parimit “një anëtar, një votë”. Ky do të jetë hapi i parë që do të çelë dhe sezonin e zgjedhjeve në PS për të kaluar më pas në hallkat e tjera të procesit zgjedhor. I takon kongresit të pesë nëntorit të vijojë më tej me zgjedhjet.

Axhenda

Krahas zgjedhjeve në PS, lidershipi socialist e ka përqendruar punën e tij dhe në hallka të tjera të axhendës së kësaj partie. Kësisoj, grupet e punës për hartimin e programit të ri politik dhe ai për ndryshimet në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të PS-së kanë vijuar punën, duke përgatitur draftet përkatëse mbi këto dy çështje. Madje, përfaqësuesit e grupeve të punës për hartimin e reformës së re organizative kanë shkuar më tej në punën e tyre: për të bërë ndërhyrjet e posaçme në statutin e partisë kanë marrë dhe mendimin e bazës. Pritet që gjatë këtyre ditëve të paraqiten pranë kupolës rozë draftet paraprake, për t’iu nënshtruar diskutimeve të mëtejshme me eksponentët e lartë të PS-së. Javët në vazhdim do të sjellin dhe përfundimin e një procesi të tillë, pasi i takon po kongresit të ri socialist që të thotë fjalën e fundit si sa i takon programit politik, ashtu dhe ndërhyrjeve të reja në statutin e PS-së.

Statuti i PS-së

Përfaqësimi në kongres i socialistëve

Në nenin 24 të statutit të Partisë Socialiste bëhet ndarja e delegatëve që janë automatikisht pjesë e kongresit dhe e atyre që i nënshtrohen votimit. Sipas këtij neni, kryetari i PS, anëtarët e partisë që kanë pasur mandat të kryetarit të partisë, të Presidentit, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët socialistë anëtarë partie, anëtarët e AK që nuk përfshihen në kategoritë e mësipërme, kryetari i KGS dhe KZP, kryetarët e PS të rretheve/bashkive/komunave, kryetarët e bashkive, komunave dhe qarqeve anëtarë partie, kryetari i FRESSH, kryetarja e FGSSH janë drejtpërdrejt delegatë të Kongresit të Partisë. Ndërkohë të drejtën e përfaqësimit me delegatë në kongres e gëzojnë edhe strukturat e partisë jashtë atdheut, si dhe sindikatat e shoqatat me afërsi programore me partinë, sipas një norme përfaqësimi dhe kritereve të miratuara nga AK e PS-së. Më tej sqarohet se anëtarët e KGS, të KZP, kryefinancieri, kryetari i KQR përfshihen në listat e votimit për zgjedhjen e delegatëve. Në rast se nuk zgjidhen delegatë, marrin pjesë në kongres si të ftuar. Njëkohësisht, në kongresin e partisë marrin pjesë si të ftuar deputetët, prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetarët e bashkive e të komunave, kryetarët e këshillave të bashkive e komunave përfaqësues të Partisë Socialiste jo anëtarë partie. Mandati i delegatit të kongresit është 4 vjet. Mandati i delegatit ndërpritet para kohe kur jep dorëheqjen, çregjistrohet ose largohet nga partia. Ndërkohë që mandati i filluar si delegat kongresi, për anëtarët e AK dhe deputetët vazhdon deri në kongresin zgjedhor të radhës.

Mbledhja e grupit

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të zhvillojë sot në mesditë mbledhjen e tij të radhës. Gjatë këtij takimi pritet të përcaktohet axhenda që do të ndjekë grupi kuvendor socialist në punimet parlamentare në seancën e pasdites. Ndërkohë që po gjatë kësaj mbledhjeje do të përcaktohen dhe qëndrimet për çështjet që janë të përfshira në rendin e ditës në komisionet e përhershme parlamentare. Sa u takon interpelancave, nismë kjo e ndërmarrë zyrtarisht nga PS, pritet që dhe gjatë kësaj jave ligjvënësit socialistë t’i mëshojnë dhe më tej çështjes së minierës së Bulqizës. Njëkohësisht, gjatë diskutimeve në mbledhjen e sotme deputetët socialistë mund të njihen dhe me vendimin politik të lidershipit socialist lidhur me qëndrimin e këtij grupimi parlamentar përkundrejt ligjeve që kërkojnë një votim prej 3/5. Po kështu, sot paradite, kryesia e grupit parlamentar të PS-së do të depozitojë në Kuvend draftin për ndërhyrje në reformë parlamentare. Gjithashtu pritet që të jetë vetë kreu socialist, Edi Rama, ai i cili të bëjë publike, përmes fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit kuvendor të PS-së, qëndrimet e reja të kësaj partie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›