E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Pesë prioritetet e opozitës në Kuvend

 Në mbledhjen e grupit parlamentar në selinë rozë, Rama i bëri thirrje Prokurorisë që të marrë të pandehur ish-ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij për minierën e Bulqizës.

“I bëjmë thirrje Prokurorisë të marrë të pandehur ish-ministrin e Ekonomisë me pasojë dëmtimin e pasurisë kombëtare. Së dyti, depozitimi këtë javë në Kuvend i kërkesës për bashkëjetesën midis palëve, duke pasuar me një reformë të thellë të funksionimit të Parlamentit. Rimodelimi i funksionit të Parlamentit është një prioritet i BE-së për Shqipërinë dhe ne vazhdojmë punën për këtë prioritet”, sqaroi Rama. Sipas tij, “mbetet në dorën e palës tjetër dhe reagimi i spikeres pa e marrë ende në dorëz zyrtarisht këtë kërkesë, lë shumë pak hapësira për optimizëm”.

Një kërkesë tjetër e opozitës do të jetë edhe heqja e TVSH-së për produktet bazë si qumështi, vezët, ilaçet, etj, të bëra të ditura të shtunën nga deputetja Mimi Kodheli. Një pikë e katërt, ishte edhe qëndrimi politik ndaj një projekti të qeverisë për importimin e mbetjeve, kur Rama theksoi se ato janë tejet të dëmshme për shëndetin e popullsisë.

“Së katërti këtë javë do të fokusohemi shumë qartë në të gjitha faktet për të mbajtur qëndrimin tonë kundër projektit politik të depozitimit të mbetjeve në Shqipëri. Gjendja e mjedisit shqiptar është katastrofik edhe pa këtë nismë qorre të Sali Berishës, duhen ndaluar me forcë këtë vendim. Në seancat e ardhshme duhet të jepen informacione të detajuara qytetarëve”, shtoi Rama. Gjithashtu, ai tha se opozita do të shfaqë vizionin e saj për ligjet që kërkojnë 3/5-t. Sipas Ramës, këto ligje do të ribëhen edhe një herë. Në fund, ai ju uroi ditëlindjen e 50-të, dy deputetëve të Partisë Socialiste, Arben Malaj dhe Marko Bello. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-09-19 12:26
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›