E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, pushime dhe inaugurime për fundjavë

Pushimet e fundjavës në qytetin e Pogradecit, Kryeministri Berisha i ka shfrytëzuar edhe për të prerë shirita inaugurimesh. I shoqëruar nga ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, si dhe nga deputetë të tjerë të zonës, kreu i qeverisë ka inauguruar fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës "Qafëthanë-Lin-Pogradec". Kryeministri Berisha, pas këtij inaugurimi, deklaroi para banorëve të zonës se qeveria që ai drejton do të mbajë çdo premtim elektoral duke e shndërruar çdo ditë, çdo javë, çdo muaj në realitet. Në rikonstruksionin e kësaj rruge investimi i buxhetit të shtetit është me vlerë mbi 2 miliardë lekë. Sipas Kryeministrit rruga ka gjatësinë prej 22 kilometrash dhe do të ketë të gjitha elementet e një rruge të standardeve europiane me ndriçim dhe trotuare, gjatë gjithë vijës së liqenit. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që fillimi i punimeve përmbush edhe një prej premtimeve të rëndësishme elektorale, rikonstruksionin e rrugës "Qafëthanë-Lin" dhe ndërtimin nga Lini në Tushemisht të bulevardit më të gjatë të Shqipërisë. "Ky është një investim prej mbi 2 miliardë lekë, me të cilin ne do të bëjmë që bregu i liqenit të Ohrit të llamburitë nga Lini në Tushemisht dhe të ketë një nga bulevardet më të bukura, jo vetëm në Shqipëri, por në rajon e më gjerë dhe t‘i japë ndërtimit të bregut të liqenit bukurinë që natyra i ka dhënë këtij liqeni të mahnitshëm", u shpreh kreu i qeverisë, Berisha. Më tej, ai theksoi se ndërtimi i këtij bulevardi përgjatë liqenit të Ohrit dhe projektet e tjera infrastrukturore që po realizohen në këtë qytet, i japin jo vetëm bregut të liqenit një nga pamjet më impresionuese, por edhe territori fiton vlera të mëdha. Investimet në Pogradec, nënvizoi më tej Kryeministri, synojnë Pogradecin turistik dhe Shqipërinë turistike. Sipas tij, ka përfunduar projekti jo vetëm për kolektorin, por edhe për përpunimin e ujërave për Pogradecin dhe Tushemishtin. "Së shpejti fillon kolektori Lin-Pogradec. Së bashku me bulevardin e ri që ndërtohet këtu krijohet infrastruktura më e shkëlqyer për investime. Fatmirësisht, vlera e tokës ka filluar të rritet ndjeshëm. Kërkesat për të investuar buzë liqenit dhe në qytetin e Pogradecit janë të mëdha, ndaj dhe ne ecim në ndërtimin e kësaj infrastrukture të re", theksoi Berisha. Kreu i qeverisë siguroi banorët e Pogradecit se çdo premtim elektoral i kësaj shumice do të shndërrohet çdo ditë, çdo javë e çdo muaj në realitet. "Shqipëria europiane është destinacioni ynë. Ndaj ne, me qindra e qindra projekte, do ta ndryshojmë këtë vend dhe në krye të katër viteve do të kemi Shqipërinë tjetër", tha Berisha. Pas inaugurimit të rikonstruktimit të rrugës "Qafëthanë-Lin-Pogradec" kreu i qeverisë bëri një vizitë në Ersekë në familjen që iu aksidentuan pesë fëmijët në një ndërtesë të vjetër teksa po nxirrnin skrap për ta shitur dhe me paratë e të cilave do të blinin bukën. Gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në familjen Shkoza në Ersekë nuk janë lejuar mediat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›