E Diel, 1 Nëntor 2026

Rivlerësimi i votave të Beratit mbetet ende në pritje të KQZ-së

Tri ankimimet për Qarkun e Beratit vijojnë të jenë në pritje të shqyrtimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në mbarim të numërimit të fletëve të votimit për Qarkun e Fierit dhe vendimmarrjes përkatëse nga ana e këtij institucioni. Prej 48 orësh, palët e interesuara që kanë bërë ankimimin qëndrojnë në pritje të vendimit të KQZ-së, ndërkohë që është bërë e ditur se pa marrë fund numërimi dhe gjithë problematika që e shoqëron rezultatin zgjedhor të Qarkut të Fierit, nuk mund të nisnin nga kërkesat ankimore për Qarkun e Beratit.

Ndaj edhe dje, partitë ishin në pritje të vendimeve të mëtejshme të KQZ-së. Sakaq, paraprakisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikoi shqyrtimin e këtyre kërkesave ankimore për ditën e shtunë, por pas vendimmarrjes së bashkimit të tri kërkesave ankimore, të cilat kishin të njëjtin objekt, mbledhja u shty pa caktuar një afat konkret, vetëm pasi të mbarojë e gjithë procedura ligjore për Qarkun e Fierit. Tri kërkesat ankimore të këtyre partive synojnë rivlerësimin e fletëve të shpallura të pavlefshme. Një prej tyre është dorëzuar nga Partia Socialiste, ku pretendohet se përmes rivlerësimit të tyre Partia Socialiste do të mund të marrë mandatin e pestë në këtë qark. Në pritje të shqyrtimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë qark, dy ditë më parë ishin dy kandidatë për deputetë, Erjon Braçe, që kryeson listën e kandidatëve të PS-së dhe Lefter Maliqi, mandati i të cilit rrezikohet në rast se dalin pretendimet e palës kundërshtare. Ky qark renditet ndër më të kontestuarit pas atij të Fierit, kjo sepse janë bërë tri ankimime nga subjekte të ndryshme politike.

Qarqe të tjera të ankimuara janë Shkodra, Tirana dhe Durrësi, kryesisht nga dy partitë kryesore. Më parë, Berati krijoi një ngërç zgjedhor gjatë procesit të numërimit të votave te kutia e fundit e panumëruar. Komisionerët e djathtë kërkuan që kjo kuti të mos hapej, për shkak se ishin vënë re parregullsi. Mbledhja e parë e KZAZ-së nuk i dha zgjidhje këtij problemi, për shkak se një prej anëtarëve abstenoi. Sqarimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rimblodhi KZAZ-në, e cila vendosi hapjen e kësaj kutie. Në këtë kuti, PS-ja shënoi epërsi kundrejt partive të tjera, por kjo nuk mjaftoi për t‘i marrë mandatin PD-së, duke e shënuar në favor të saj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›