E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmtohen pyjet, rritet numri i vrojtuesve

Sipërfaqet pyjore të Qarkut të Fierit vazhdojnë të regjistrojnë dëmtime. Fondi pyjor ka konstatuar: prerje të drurëve, si dhe vatra e zjarrit të rëna në to. Kështu, flakët e zjarrit kanë dëmtuar gjatë sezonit të verës së shkuar më shumë se 70 ha pyll, përbërja e të cilit ka qenë me drurë thuajse shekullorë.

Ndërkohë që prerjet e drurëve pa kriter kanë dëmtuar një sipërfaqe më të vogël se kjo e regjistruar nga zjarret, por sërish ka tregues mjaft të lartë. Këto statistika alarmante deklarohen zyrtarisht nga burime të Drejtorisë Rajonale Pyjore në Fier, e cila ka protokolluar çdo rast të konstatimit të dëmtimit të fondit pyjor. Por, statistikat e Repartit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Prefekturën e Fierit, duke u bazuar në numrin e zjarreve të rëna në pyje tregojnë se një pjesë e madhe e pyjeve dhjetëravjeçarë të Qarkut të Fierit kanë pësuar dëmtime vetëm nga zjarret e vënë në mënyrë të qëllimshme.

Zyrtarisht, Drejtoria e Pyjeve deklaron se deri një muaj më parë rojet e pyjeve që operojnë në Qarkun e Fierit kanë evidentuar më shumë se 12 raste të prerjes masive të pyjeve. Ndër zonat ku janë konstatuar dëmtime janë pylli i Semanit, Godullës, Divjakës, Cakranit, Ruzhdies etj. Në po të njëjtat pyje janë regjistruar edhe vatrat e zjarrit. Kjo shpjegohet nga specialistët e repartit të mbrojtjes nga zjarri, si dhe nga specialistët e Drejtorisë Pyjore me faktin se si dëmtimet me prerje dhe ato me djegie kanë pasur një qëllim, krijimin e shesheve të ndërtimit nga shumë investitorë të interesuar për të ngritur aktivitetin e tyre në mes të gjelbërimit të pyjeve. Kjo ka bërë që Drejtoria Rajonale Pyjore Fier të marrë masa shtesë, me anë të të cilave kërkon të ulë ndjeshëm dëmtimet e sipërfaqeve të pyjeve. Sipas drejtuesve të Pyjores Fier, mësohet se për këtë vit, në bazë të një urdhri të Ministrisë së Mjedisit, si dhe të emergjencave civile është rritur numri i vrojtuesve të pyjeve, ndërkohë që numri i rojeve të pyjeve është ende shumë i ulët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›