Berisha "lan duart" me Gërdecin: Mjafton ikja e Mediut
Kryeministri Sali Berisha deklaron se nuk do të ketë ndryshime në qeveri
Përgjegjësia e qeverisë për tragjedinë e Gërdecit do të mbetet vetëm tek dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në daljet e tij triumfale përpara medias për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, kryeministri Sali Berisha ka "larë duart" nga përgjegjësia personale për katastrofën jonatyrore të Gërdecit, ku mbetën të vrarë 24 vetë dhe ku u shkatërruan më shumë se 1500 shtëpi, biznese dhe prona. I pyetur nga "Shekulli" në lidhje me përgjegjësinë e tij individuale për këtë ngjarje, kreu i qeverisë e ka mohuar atë, duke u deklaruar se për këtë ngjarje është marrë përgjegjësia politike nga ana e ministrit të Mbrojtjes. "Qeveria ka nxjerrë të gjitha përgjegjësitë dhe ka ndërmarrë një plan të gjithanshëm të trajtimit të këtij problemi. Këtë e ka bërë në mënyrën më eficiente dhe më të plotë. Qeveria ka reaguar në minutën e parë dhe vazhdon të përballet me pasojat e saj. Në aspektin e parandalimit të kësaj ngjarjeje ka një dorëheqje të ministrit të linjës, z.Mediu, e cila është dorëheqje politike, si përgjegjësi politike për atë që ndodhi dhe asgjë më shumë",- u shpreh Berisha. Pavarësisht këmbënguljes së opozitës për t'u dorëhequr nga posti i Kryeministrit si shenjë marrjeje përgjegjësie, ai ka bërë të qartë se kabineti i tij qeverisës nuk do të ndryshojë. "Opozita, në një vend të lirë, ka të drejtë të paraqesë të gjitha kërkesat. Vendi demokratik pranon spektrin e gjerë të kërkesave të opozitës. Unë, pas kthimit nga Bukureshti, me ftesën e anëtarësimit do të punoj me të njëjtin përkushtim siç punova për ftesën për anëtarësim. Unë jam njeri që persistoj dhe ajo çka kam premtuar u bë realitet, do bëhet realitet dhe anëtarësimi",- tha Berisha. Me këtë ai ka mbyllur një herë e mirë edhe kapitullin e ndryshimeve të mëtejshme në qeveri, pasi, sipas tij, ka qenë puna e kryer nga ky kabinet ajo që bëri të mundur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. "A jam këtu para jush me ftesën? A janë reformat e ndërmarra nga kjo qeveri faktori më përcaktues i kësaj ftese? A u përcaktuan ato si frymëzim për vendet e tjera? Në këtë kontekst, unë nuk mendoj se qeveria nuk ka përmbushur misionin e vet në këtë aspekt. Reformat e thella të këtij kabineti, kanë qenë ato të cilat bënë Shqipërinë frymëzuese për vendet e rajonit. Në politikë nuk lëshohet asnjë frazë dhe fjalë pa vend, në mënyrë të veçantë në deklarata kolektive",- tha Berisha. Megjithatë ai është shprehur i vetëdijshëm për një ndryshim të detyrueshëm të kabinetit jo vetëm përsa i përket çështjes së zëvendëskryeministrit, vendi i të cilit ka mbetur vakant, por edhe për përfaqësimin e Partisë Republikane me post ministri. Berisha ka bërë të ditur se dyert e kabinetit qeveritar mbeten të hapura, në rast se Partia Republike do të heqë dorë nga pozicioni i saj i tërhequr. "PR, kanë bërë një vetë-tërheqje dhe për ata dera është e hapur. Për sa kohë do qëndrojnë ata, është në tagrin e tyre, por në momentin që ata është forcë kryesore e PD dhe koalicionit",- u shpreh Berisha.
****
Berisha: Kush nuk është dakord me vlerësimin, të mos i marrë lekët
Qeveria merr përsipër të rikonstruktojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i para tre javëve në Gërdec, për të gjitha ato familje që shprehin mospajtim me vlerësimin e bërë nga grupet e punës të ngritura nga Shtabi i Emergjencës. Kryeministri Sali Berisha ka ftuar dje të gjithë banorët që kanë pakënaqësi për këtë vlerësim, që të mos i tërheqin paratë e dhëna dhe t'i japin mundësi shtetit që të ndërhyjë vetë për të riparuar dëmin e shkaktuar. "Qeveria do të marrë përsipër tërësisht meremetimin e ndërtimin, për ato raste kur banorët nuk janë shprehur dakord. Ne jemi angazhuar për mbështetje të plotë të këtyre banorëve, por paratë janë të taksapaguesve dhe ne jemi të detyruar të bëjmë administrimin më të mirë të tyre, sepse ne kemi bërë një vlerësim. Në vlerësimin tonë, ato para janë plotësisht të mjaftueshme, por ai që pretendon se nuk janë bere vlerësimet e duhura, le të mos i marrë paratë, ne me ato para do të kontraktojmë kompani private për të bërë meremetimin",- u shpreh kryeministri Berisha. Ai ka bërë të ditur se qeveria që drejton është e vendosur që të bëjë zhdëmtimin e dëmit në masën 100 për qind. Në lidhje me këtë çështje ai ka servirur të dhëna kontradiktore me realitetin përsa i përket familjeve që kanë shprehur ankesa. Sipas liderit të mazhorancës, janë vetëm 40 raste të cilat kërkojnë rivlerësim të dëmit, ndërkohë që sipas njësive lokale të Vorës janë regjistruar afro 1000 ankesa. "Qeveria do dëmshpërblejë 100% dëmin e Gërdecit. Informacioni im është ky: nga ankesat e paraqitura dhe rivlerësimet, janë rreth 40 në të cilat ka çështje thelbësore dhe i garantoj të gjithë ata se qeveria nuk ka asnjë hezitim për shqyrtimin e plotë të tyre. Por janë konstatuar edhe një seri ankesash në të cilat nuk bihet dakord me shumën, ose konsiderohet e pamjaftueshme për të meremetuar dëmtimin",- tha Berisha. Ndërkohë që qeveria ka përcaktuar vetëm 20 milionë dollarë për përballimin e të gjitha dëmshpërblimeve.
PD, "Ok" me propozimin e PS për sistemin zgjedhor
Partia Demokratike do të mbështesë propozimet e Partisë Socialiste për amendimin e Kushtetutës në kapitullin që bënë fjalë për sistemin zgjedhor. Në një kohë që partitë e vogla janë shprehur kategorikisht kundra një nisme të tillë, kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar si të mirëpritura dhe tepër pozitive propozimet e ardhura nga socialistët. Sipas tij, qëllimi i Partisë Demokratike është eliminimi i fenomenit të "Dushkut" dhe një gjë e tillë arrihet me anë të amendimeve në fjalë. "Ne jemi kundër Dushkut. Mendoj se propozimet e paraqitura nga grupi i PS janë propozime të cilat duhet të përshëndeten sepse i japin fund Dushkut dhe japin një përfaqësim dinjitoz më të mirë të vullnetit të zgjedhësve shqiptarë. Propozimi i opozitës më duket i arsyeshëm",- tha kryeministri Berisha, duke lënë të kuptohej se deputetët e tij do të mbështesin amendamentet kushtetuese që pritet të kalojnë gjatë kësaj jave për diskutim në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Kreu i qeverisë, nisur edhe nga kundërshtimi i partive të vogla, është shprehur i vetëdijshëm se konsensusi për një çështje të tillë mbetet i vështirë për t'u arritur me të gjitha partitë. "Kur unë kam deklaruar se do t'ia lë opozitës propozimin ose zgjedhjen për sistemin zgjedhor, nuk kam pasur ndërmend që të vë opozitën në pozicion të vështirë. Kur vjen problemi te një sistem, nëse njëra palë nuk lëshon udhë, konsensusi nuk arrihet kurrë",- u shpreh Kryeministri. Amendamentet kushtetuese të opozitës synojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga mazhoritaro-proporcional në një sistem proporcional-rajonal me zona shumë emërore. Përsa i përket zonave zgjedhore, socialistët propozojnë që për përcaktimin e tyre të merret parasysh ndarja aktuale në bazë qarqesh.