E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja “rrëzon” Sollakun

• Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, për antikushtetutshmërinë e komisionit hetimor që propozoi shkarkimin e tij.

Aristir Lumezi

Pas një debati të gjatë në disa seanca gjyqësore, gjykata ka votuar dhe me shumicë votash ka mbetur në fuqi vendimi i komisionit Hetimor parlamentar. Në vitin 2002, Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë të drejtë ish-prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi për shkeljen procedurale, që i ishte bërë duke mos i dhënë mundësi atij të mbrohej në komisionin Hetimor. Burime pranë Gjykatës Kushtetuese u shprehën se, shumica e argumentoi vendimin e saj me faktin se personit nën hetim, Theodhori Sollakut, iu dha mundësia të shprehej para komisionit Hetimor dhe të mbronte veten përballë akuzave që i ishin ngritur. Sipas shumicës që votoi pro vendimit të komisionit Hetimor: Sollaku kishte kohën e mjaftueshme për t’u paraqitur dhe për të bërë mbrojtjen e tij para deputetëve të komisionit, të cilët nga ana e tyre e kishin lajmëruar edhe me shkrim për t’u paraqitur. Përmes kërkesës së tij, ish-prokurori i Përgjithshëm, i kërkonte Gjykatës Kushtetuese të cilësonte antikushtetues vendimin e Kuvendit për miratimin e raportit të komisionit parlamentar që kërkonte shkarkimin e tij. Sipas tij, komisioni i ka dërguar vetëm një ftesë për t’u paraqitur para anëtarëve të tij, por pa e njohur atë me akuzat dhe materialet mbi të cilat mbështeteshin akuzat e ngritura ndaj tij. Këtë fakt, përfshirë edhe kohën e pamjaftueshme fizike për të asistuar në komision, Sollaku e konsideron si një shkelje të së drejtës themelore të qytetarit që është nën një proces hetimor. Sipas Sollakut gjatë veprimtarisë së tij, komisioni Hetimor ka shkelur procedurat e përcaktuara tek “rregullat e Kodit të Procedurës Penale”, duke shkaktuar kështu pavlefshmëri të akteve që rrjedhin nga veprimtaria e komisionit. “Bazuar në parimet e Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, raporti përfundimtar i komisionit Hetimor duhet të konsiderohet një akt absolutisht i pavlefshëm”, shprehet ish-prokurori i Përgjithshëm në kërkesën e tij. Për të ndihmuar Gjykatën Kushtetuese, Sollaku i kujton asaj një vendim të marrë prej saj në vitin 2002, në procesin ndaj paraardhësit të tij, Arben Rakipi. “Në vendimin interpretues nr. 75 datë 19.04.2002, Gjykata Kushtetuese e ka konsoliduar qëndrimin e saj lidhur me kuptimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, duke arsyetuar se njohja paraprake e personit, ndaj të cilit merret masa e shkarkimit, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i të drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, si me anën e dhënies së sqarimeve paraprake ashtu dhe gjatë shqyrtimit të çështjes, janë disa nga elementët bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese të cilitdo për një proces të rregullt, si një e drejtë themelore, cenimin e së cilës, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese e ka identifikuar në çdo rast si shkelje të Kushtetutës”, shprehet Sollaku në kërkesën e tij.            

Kushtetuesja i dha të drejtë Rakipit
Paraardhësi i Theodhori Sollakut e fitoi çështjen e tij me Kuvendin në vitin 2002, në Gjykatën Kushtetuese. Pasi u shkarkua në Kuvend me votat e maxhorancës, në atë kohë, socialiste, Arben Rakipi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë. Në kërkesën e tij, ashtu si edhe Sollaku, Rakipi u ankua për shkeljen e procedurave të hetimit nga komisioni parlamentar. Sipas tij, komisioni nuk i kishte dhënë mundësinë ligjore dhe kushtetuese të paraqitej në komision dhe të mbrohej ndaj akuzave që i ishin ngritur. Me një vendim të saj, Kushtetuesja i dha të drejtë Rakipit, pasi ndaj tij ishin shkelur procedurat e hetimit të komisionit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur me kërkesën e dytë të ish-prokurorit të Përgjithshëm Sollaku. Gjykata, për të njëjtin motiv që i kishte dhënë të drejtë Rakipit, ia mohoi këtë Sollakut, duke zbatuar dy standarde në interpretimin e saj kushtetues. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe pse janë gjithnjë interpretuese të Kushtetutës, në rastin e prokurorëve të Përgjithshëm, nuk kanë vënë në lëvizje Kuvendin apo presidentin të ndryshojë vendimet e marra prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›