E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Hetoni Gërdecin plotësisht

• Ambasadori amerikan në Tiranë beri thirrje për një hetim serioz, të pavarur dhe të pandikuar politikisht lidhur me tragjedinë e Gërdecit.

Trazhgim Sokolaj

 Mesazhi i përfaqësuesit diplomatik të SHBA-ve në Tiranë për një hetim të plotë rreth shkaqeve të tragjedisë së Gërdecit, erdhi në një moment kur në Prokurorinë e Përgjithshme ndodhet kërkesa e Prokurorisë së Tiranës për zgjerimin e personave në hetim për ngjarjen duke përfshirë edhe ish-zyrtarë me imunitet parlamentar. “Hetimi për tragjedinë e Gërdecit duhet të arrijë kudo ku të çojnë të dhënat, pavarësisht në ç’drejtim apo kush është i përfshirë”, tha diplomati amerikan John L. Withers II. Ai shprehu mbështetjen e tij të plotë për një hetim tërësor, të gjithanshëm, dhe të paanshëm për shpërthimin e Gërdecit. “Vetëm kjo do të rivendosë besimin publik në institucionet shqiptare të drejtësisë”, theksoi ambasadori amerikan. Ai shprehu besimin se Prokuroria nuk do të ndeshet në ndërhyrje politike të asnjë lloji gjatë punës për të gjetur të dhënat për kundravajtje në rastin e Gërdecit. Diplomati amerikan kërkoi më tej që procedurat gjyqësore të jenë rigoroze. “Çfarëdo vendimesh që mund të jepen nga gjykatat shqiptare, ato të jenë në përputhje me krimet, pavarësisht statusit apo lidhjeve politike të kriminelëve”, është shprehur ambasadori Withers, duke vlerësuar faktin se në drejtimin e hetimit të ngjarjes ndodhet prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. “Zonja Prokurore e Përgjithshme, unë kam besim të plotë në udhëheqjen dhe drejtimin tuaj për këtë hetim”, është shprehur ambasadori amerikan në konferencën e përbashkët të organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme lidhur me trajnimin e prokurorëve shqiptare nga misionet ICITAP dhe OPDAT për metodat e hetimit të krimit financiar.
Rreziku në Gërdec
Duke folur për ndihmën e autoriteteve amerikane për shtetin shqiptar pas tragjedisë së Gërdecit, ambasadori amerikan tha se, Shqipëria është një mike dhe tani një aleate në NATO dhe e Sh.B.A.-ve. “Ne jemi krenarë që ofrojmë këtë ndihmë pas kësaj tragjedie. Megjithatë, jemi shumë të shqetësuar për menaxhimin e vendngjarjes. Ekspertët tanë e kanë këshilluar qeverinë që ekzistojnë çështje të sigurisë që mund të çojnë në lëndime të mëtejshme, nëse nuk ndërmerren ndryshime. Specifikisht, zona është ende e mbushur me municione të pashpërthyera, një pjesë e madhe e tyre nën sipërfaqe, dhe shumica e shtëpive në zonën e shpërthimit kanë pësuar dëme serioze strukturore. Ekzistojnë gjithashtu rreziqe mjedisore që janë ende për t’u analizuar”, tha më tej ambasadori amerikan në Tiranë. Për arsyet e mësipërme ai është shprehur kundër lejimit të banorëve vendas që të rikthehen në shtëpitë e tyre para kohe. “I kuptoj banorët, të cilët kuptohet që mezi presin të rifillojnë jetët normale. Megjithatë, kthimi tepër herët është si të afrosh rreziqe serioze për njerëz që tashmë kanë vuajtur shumë”, vijoi më tej ambasadori Withers.

Prokuroria: Firma SAC, trampolinë për hyrjen e Delijorgjit në biznes
TIRANE – Hyrja e kompanisë “Alba Demil” në pronësi të Mihal Delijorgjit në aktivitetin e çmontimit të predhave duket se nuk ka qenë një rastësi. Prokuroria ka zbuluar gjatë hetimeve të saj, se pavarësisht se nuk kishte licencë për demontim predhash të kalibrave nga 22 mm deri në 152 mm, firma “Alba Demil” është nënkontraktuar nga kompania amerikane “Southern Ammuniation Company Inc” për çmontimin e predhave. Nënkontraktimi i kompanisë së Mihal Delijorgjit ka ardhur vetëm tri ditë pasi kompania amerikane SAC, kishte nënshkruar kontratën e saj me ndërmarrjen MEICO, pikërisht për çmontimin e predhave. Një tjetër fakt i zbuluar nga Prokuroria është se që në mesin e muajit dhjetor 2007, firma amerikane SAC kishte mbyllur dhe paketuar makineritë e saj dhe po bëhej gati për tu larguar nga Gërdeci. Mirëpo edhe në këto kushte, kjo kompani ka nënshkruar një kontratë për çmontim predhash me ndërmarrjen MEICO. Kontrata është nënshkruar më 28 dhjetor 2007, ndërsa vetëm tri ditë më pas, në datë 31 dhjetor 2007, kompania amerikane SAC i ka kaluar të gjithë tw drejtat e saj firmës shqiptare në pronësi të Mihal Delijorgjit lidhur me çmontimin e predhave të artilerisë së rëndë dhe pronësinë e skrapit të nxjerrë prej tyre. Përveç hyrjes së rrufeshme të Mihal Delijorgjit në këtë biznes fitimprurës, Prokuroria ka zbuluar se transporti i predhave nga repartet apo depot ushtarake deri në fabrikë bëhej nga mjetet e ushtrisë me karburantin e tyre nga buxheti i shtetit. Sipas hetimeve, Delijorgji është favorizuar përsëri në këtë rast pasi nuk ka shlyer asnjë qindarkë për paratë e shpenzuara nga ushtria gjatë transportimit të predhave nga i gjithë vendi për në fabrikën private të çmontimit.       tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›