E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha refuzon Surroin

Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, duket se nuk do të jetë ndërmjetësues për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, pas grevës së socialistëve për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Partia Demokratike e Kryeministrit Sali Berisha ka refuzuar që publicisti i njohur kosovar të jetë ndërmjetësues mes PD’së dhe PS’së.

Sali Berisha, siç pohohet, nuk i ka besuar sinqeritetit të iniciativës së Surroit.

“Kryeministri Berisha beson se Surroi nuk është zgjidhja e duhur, pasi që ai është i afërt me Edi Ramën”, ka thënë për Express, në kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë i Kabinetit të Kryeministrit Berisha.

Të hënën, Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtëm u takua me Presidentin shqiptar, Bamir Topi, për të diskutuar rreth rolit të tij të ndërmjetësuesit.

Në ndërkohë, PS e Edi Ramës pranoi që Veton Surroi të ndërmjetësojë.

Vetë Veton Surroi, i kontaktuar me telefon nga Klan Kosova, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje.

“Mos më pengoni”, ishte reagimi i tij, para se ta mbyllte telefonin nga Tirana.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›