E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia në BE, pasi të zgjidhë problemet me Kosovën

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon, ka thënë se çështja e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian nuk është çështje e amerikanëve, por e evropianëve. Por ai ka theksuar se rruga e Serbisë drejt BE-së do të kompletohej në rast se ajo do të zgjidhte problemet me Kosovën.

Sipas tij, mënyra më e mirë për zgjidhjen e këtyre problemeve do të ishte përmes bisedimeve teknike.

Gordon i bëri këto komente sot pas një takimi në Prishtinë me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni.

“Mendoj se rruga e Serbisë drejt BE-se do të kompletohet kur t’i zgjidhë çështjet me Kosovën. BE-ja ishte e qartë, ajo nuk do të pranojë grindjet për kufijtë dhe marrëdhëniet e paqarta, në këtë mënyrë rruga e Serbisë do të lehtësohej kur do të fillojë t’i zgjidhë çështjet me Kosovën”, ka thënë Gordon, transmeton KosovaPress.

Ai theksoi se çështje të tilla si ajo e energjisë elektrike, personave të zhvendosur dhe personave të zhdukur do të mund të zgjidheshin vetëm përmes bisedimeve ndërshtetërore.

Diplomati i lartë amerikan, i cili po qëndron sot në Prishtinë, në kuadër të një vizite në shtetet e Ballkanit, ka përsëritur mbështetjen e SHBA-së për sovranitetin e Kosovës.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka thënë se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të ishte më e lehtë në rast se do të kishte njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Duhet të kemi parasysh vështirësitë e natyrave të ndryshme, të cilat Republika e Serbisë përballë nëse do të njihte Kosovën formalisht. Kjo është arsyeja pse ne nuk insistojmë që Republika e Serbisë të njohë Kosovën zyrtarisht”, ka thënë Hyseni.

Gordon, gjatë ditës, do të pritet edhe nga presidenti Fatmir Sejdiu e kryeministri Hashim Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›