E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha refuzon të japë llogari për çështjen “Fazliç”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kryeministri Sali Berisha harron të shpjegojë lidhjet e tij me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazliç. Për rreth 2 orë me radhë ai komentoi në Parlament punën e Qeverisë së tij në këto tre vjet si dhe planet për vitin e fundit të mandatit, por për asnjë moment nuk dha shpjegime lidhur me atë për të cilën ishte thirrur në mocionin për debat, çështjen “Fazliç”. Jo vetëm kaq, por ai ironizoi kërkesën e opozitës për mocion debati dhe jo për mocion mosbesimi. “Ky mocion fakton se Edi Rama e ka zhytur këtë opozitë në batakun e marrëzive, bosh, retorikës së trillimeve, mashtrimeve e falsifikimeve si asnjë opozitë tjetër”, - deklaroi Berisha, duke theksuar se do ta kishte të fituar mocionin, edhe nëse ai do të ishte mosbesimi, ndërsa theksoi se PS dhe opozita në tërësi, nuk gjente asnjë siguri ta kërkonte. Sipas tij, opozita s bën dot asnjë mocion, ligj apo vendim e propozim, por vetëm shpall të vdekurit të ekzekutuar e flet me mijëra llogje, zhurma dhe blofe. Në fjalën e tij për rreth 2 orë, ai renditi arritjet e Qeverisë duke nisur nga lufta kundër krimit të organizuar apo korrupsionit, deri tek firmosja e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, marrja e ftesës për NATO dhe hapja e negociatave për liberalizimin e vizave. Berisha, kur foli për reformat, ka krahasuar gjatë gjithë kohës qeverisjen trevjeçare të tij me atë të socialistëve, duke deklaruar se Shqipëria u shndërrua nga vendi me imazhin më të keq në Evropë për shkak të korrupsionit të kthyer në sistem dhe lidhjeve, sipas tij, të zyrtarëve me krimin, në vendin që cilësohet si ai i reformave inspiruese dhe që tani po anëtarësohet në NATO.
Akuzat
Berisha i është drejtuar opozitës me akuza të shumta gjatë fjalës së tij në Parlament, duke theksuar se Shqipërinë para vitit 2005 e drejtonin bosët e mafias. Sipas Berishës, fondet pëfundonin në xhepat e bosëve të mafies. Berisha tha gjithashtu se Partia Demokratike erdhi në pushtet kur liria e tregut, ekonomia e lirë ishte zëvendësuar nga klientela. Berisha e ka identifikuar opozitën me klanin e Zemunit dhe me bandën e Aldo Bares. Kryeministri tha gjithashtu se Rama e ka zhytur këtë opozitë në "batakun" e mashtrimeve dhe falsifikimeve. Në këtë pikë, Berisha konsideroi se opozita “ka komplekse”. “Ne bëmë një program historik të ndryshimit të qeverisjes. Morëm një qeverisje ku krimi ishte i lidhur ngushtë me ministrat. Krimi bënte ligjin në qytetet e institucionet. Ne erdhëm në pushtet kur bosët e mafies ndanin me qeveritarët jo vetëm trofetë, por dhe krimet e porositura, e shtratin e dhomën e krimit”, - tha ai. Berisha theksoi se korrupsioni ishte në majat e tij dhe paratë përfundonin në xhepat e pushtetarëve. Ai shtoi se PD erdhi në pushtet kur nuk kishte liri tregu dhe kur klane të rrezikshme mafioze e kishin zaptuar vendin e larguan investitorët, ndërkohë që edhe sistemi arsimor kishte degraduar. “Ne sollëm ndryshimin. Ne sollëm një Shqipëri ndryshe, bëmë reforma të thella. Me ne u çelën negociatat për liberalizimin e vizave”, - tha ai. Kryeministri u ndal gjatë në fjalën e tij, në mënyrë të hollësishme, në punën e bërë gjatë kësaj kohe nga qeveria që ai drejton, duke u vënë theksin realizimeve në fushat financiare, sociale, politike dhe investimeve. Berisha evidentoi dhe punën e bërë në luftën kundër krimit të organizuar dhe aferave korruptive, mitëmarrjes e ryshfetit. Në vijim, Berisha tha se garantonte presidentin Bush dhe ata që firmosën protokollin, se “qeveria ime do të vijojë reformat, për të arritur standardet për anëtarë të NATO-s”. Berisha nuk harroi të evidentojë se “Edi Rama është verbuar nga ky akt historik” dhe vijoi: “Bir i denjë i atit të tij shpirtëror, Rama e festoi ditëlindjen duke u servirur shqiptarëve”. Ndërsa lëshoi dhe një tjetër akuzë: “Edi Rama urdhëroi mediat të transmetonin pamje pa orën e dorës të Presidentit amerikan Bush”, duke iu referuar lajmeve në ditën e vizitës së kryetarit amerikan në Shqipëri, ku u aludua se ora e tij ishte vjedhur gjatë vizitës në Fushë- Krujë. Kryeministri Berisha kujtoi faktin se korrupsioni vazhdon të mbetet i pranishëm në vend, por theksoi se dukuria e kleptokracisë është zhdukur”.

Ky lajm është publikuar: 04/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›