Berisha, sanduiç mes Uashingtonit dhe Vjenës
Nga Urim KOLA
Tanimë as që vihet në dyshim rikthimi i luftës së ftohtë midis Berishës dhe SHBA-ve e OSBE-së. Përtej deklaratave optimiste dhe buzëqeshjeve të kortezisë, kanë filluar të fryjnë erërat e akullta. Ishte Nano ai që i provoi mbi shpinë para 3 korrikut 2005, teksa injoroi misionin e OSBE gjatë hartimit të Kodit Zgjedhor, derisa i detyroi drejtuesit e saj t’i pohonin Metës së irrituar gjatë takimit në selinë e OSBE-së, të vërtetën e shmangies pothuajse të plotë të kësaj organizate dhe pamundësinë e saj për të bërë arbitrin e paanshëm në përplasjet e LSI-së me PS-në, por edhe me “partizanin tjetër PD”, në mbrojtje të interesave të saj politike e zgjedhore. Shmangie kjo e bërë me urdhër të Nanos, e që e spostonte OSBE-në qoftë edhe nga vëzhgimi dhe njohja nga afër me punën e Komisionit të posaçëm parlamentar të ngarkuar me hartimin e Kodit Zgjedhor të asaj kohe. Mbetja pa “arbitrin” e gjithëpranuar OSBE dhe hartimi i një kodi zgjedhor bipartizan e në interes të dy partive të mëdha, ishte edhe shkaku i sherreve të zgjatura në Komision, Parlament e media, sidomos i deklaratave të ashpra të krerëve të partive të vogla në ato pak seanca të fillimit të punës së Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, pas të cilave vijuan deri në fund tensionimi i politikës dhe puna kokë më kokë e “bipartizanëve” që vendosën gjithçka. Teksti integral, që më pas rezultoi si raport-vlerësimi total i OSBE-së për zgjedhjet shqiptare, nuk ishte tjetër veçse shprehja literale diplomatike e vetëpërmbajtjes dhe rezervimit për të mos i thënë të gjitha, sa kohë që rokada e pushtetit u bë më paqësore se kurrë, madje në kufijtë e të paimagjinueshmes, gërshetuar edhe me largimin nga pushteti të “grindavecit”. Vetëpozicionimi politik “europeist” i Nanos dhe përsëritja pambarimisht e thelbit “europeist” të orientimit politik shqiptar, krahas spostimit të OSBE-së dhe privilegjimit të misionit të BE-së në raportet me politikën shqiptare të të dy krahëve, u mbyll bashkë me kapitullin e 3 korrikut, me shpresën e Vjenës dhe Uashingtonit për ndreqjen nga pasardhësit të këtyre raporteve të deformuara.
Por nuk ndodhi kështu, sepse reforma zgjedhore gjatë kësaj legjislature u zvarrit, OSBE-ja u shmang dhe u injorua sërish... Për t’u ballafaquar më në fund me deklaratën e djeshme të Berishës, thelbi i të cilës e ironizonte OSBE-në, e cila paskëtaj e tutje duhet ta ndiejë veten të lumtur për faktin se shefit të qeverisë i ra papritmas ndër mend në Vlorë dhe që nga Vlora, që t’i bënte të ditur Qendrës në Vjenë se qeveria e tij do të propozonte dhe kërkonte dyfishimin e vëzhguesve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare! Me sfond plazhet vlonjate, Berisha dukej sikur po i kumtonte Vjenës që, pas një viti, pra pasi ai të ketë mbaruar punë më Kodin Zgjedhor, falë zemërgjerësisë së tij do të ftoheshin, si dikur në kohën e monizmit, dyfishi i vëzhguesve të OSBE-së për të shfrytëzuar rastin e për të bërë plazh në kampet e pushimit të atjeshme... Si njëherë e një kohë marksist-leninistët, të cilët po Berisha i akuzoi në vitin 1996 se ishin rikthyer në Shqipëri, por tanimë me kostumin e vëzhguesve të OSBE-së, për të rrëzuar pushtetin e tij në favor të së “majtës së pareformuar komuniste, me të cilën ruanin lidhjet miqësore, shpirtërore e ideologjike”.
Po përse bezdiset Berisha nga prania e OSBE-së gjatë monitorimit të të gjitha fazave të përgatitjes së Kodit Zgjedhor, miratimit dhe zbatimit të ligjit zgjedhor dhe mbarë procesit zgjedhor deri në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare, sa kohë që nuk është OSBE ajo që shpall fituesit, që ndikon në deformimin e procesit zgjedhor dhe ligjërimin e rezultateve? Kësaj pyetjeje Berisha as që denjon t’i përgjigjet, pasi e konsideron të pakuptimtë e të panevojshme përgjigjen, në vend të së cilës ofron si fakt domethënës krijimin dhe funksionimin sërish të skemës “bipartizane”. Natyrisht që Berisha nuk është aq naiv sa të përsërisë hapur gabimin dhe bezdinë e dikurshme të pushtetarit paraardhës Nano, që kërkoi përfundimin e kohëqëndrimit të misionit të pranisë së OSBE-së në Shqipëri.
Berisha nga Vlora iu përgjigj OSBE-së, të cilën e trajtoi si të ishte Traktati i Varshavës, duke imituar Hoxhën, që aludonte për superfuqinë BS, që ajo të dëgjonte dhe kuptonte kur ai i drejtohej dhe referohej Traktatit.
Pra Berisha, po nga Vlora, si dikur Enveri, po i drejtohet superfuqisë së mbetur SHBA me mesazhe indirekte.
Tanimë është Gërdeci “precedenti pasardhës” i “Pushtimit të Çekosllovakisë”, dhe Berisha nuk mund ta fshehë.
Pavarësisht kontakteve formale me ambasadorin amerikan, Berisha nuk mund të mbulojë nga opinioni publik dhe analistët e vëmendshëm faktin se z. Uidhërs ka krijuar kanale intensive komunikimi pikërisht me drejtuesit më të lartë të pushteteve të pavarura të Presidencës dhe Prokurorisë, të atakuar aq shpesh dhe hapur nga maxhoranca, nëpërmjet trupës legjislative dhe instrumenteve ekzekutive.
Në një proces ndërkomunikues hetimesh intensive, në Shqipëri dhe përtej Atlantikut, e në të cilin janë përfshirë si dëshmitarë apo të pandehur, edhe qytetarë amerikanë, Gërdeci mbetet një hendek që thellohet vazhdimisht ndërmjet DASH dhe qeverisë shqiptare.
Përdorimi propagandistik i “parimit” të zhveshjes së deputetëve nga imuniteti në rast hetimesh, dhe shkelja me këmbë e tij me anë të rezistencës absurde dymujore për të mos i hequr imunitetin ish-ministrit të Mbrojtjes, u lexua qartë nga të gjithë si lidhje e fortë e Berishës me Gërdecin dhe fatet e hetimit të tragjedisë. Do të mjaftonte kundërthënia në thelb e deklaratave pompoze të maxhorancës për bilancin e shkëlqyer antikrim të Policisë së Shtetit qysh nga 3 korriku e këtej, me porosinë e ambasadorit amerikan për “pavarësinë e Policisë nga politika...”, për të kuptuar se SHBA-të e lexojnë ndryshe dhe e shumëzojnë me koeficientet e tyre të reduktuara këtë bilanc, që është propaganduar si rezultati më i bujshëm i qeverisjes së maxhorancës. Kjo verë e nxehtë, kur prokurorët e ngarkuar me Gërdecin dhe ministrat e Berishës janë urdhëruar të harrojnë pushimet e të vijojnë hetimet, apo përgatitjen e projektbuxheteve dikasteriale dhe planet financiare për përdorimin e fondeve të buxhetit suplementar, gjithsesi nuk mund ta zbusë “acarin e kondicionerit” të vënë në punë në Uashington, e që po ftoh marrëdhëniet midis tij dhe Ekzekutivit të Tiranës zyrtare me në krye Berishën.
4 Gusht 2008