Rinas, pranga dy personave të kërkuar nga drejtësia
Dy persona në kërkim nga drejtësia shqiptare për "vrasje të mbetur në tentativë", janë ndaluar dje nga forcat e policisë në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas, bënë të ditur dje për gazetn “Albania” burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Kështu, forcat e policisë mundësuan ndalimin e shtetasit Xhemajl Matoshi, 49 vjeç , lindur në Tropojë e banues në Tiranë, i cili po udhëtonte nga Greqia si pasagjer i zakonshëm me linjë ajrore. Gjatë verifikimit të këtij shtetasi, rezultoi se me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 29 prill 1998 Matoshi është dënuar me 10 vjet burg në mungesë për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë". Gjithashtu, dje u bë i mundur ndalimi i shtetasit Ardin Ahmataj, 21 vjeç, lindur e banues në Tiranë që po udhëtonte nga Italia me linjë ajrore si pasagjer i zakonshëm, pasi nga verifikimet e kryera nga strukturat e policisë ka rezultuar se me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 27 shkurt 2008 është dhënë ndaj tij masa e sigurisë "arrest me burg" për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë".
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit garanton se strukturat e Policisë Kufitare dhe të Migracionit janë të angazhuara për krijimin e gjithë lehtësirave për shtetasit shqiptarë apo të huaj që dëshirojnë të kalojnë pushimet në vendin tonë si dhe një kontroll efikas për parandalimin e ngjarjeve të mundshme apo kapjen e personave në kërkim.
4 Gusht 2008