E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja mes dy makinave, plagosen rëndë dy persona



LEZHË – Një përplasje mes dy makinave ka shkaktuar plagosjen e dy personave, ku njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se mëngjesin e së shtunës ka ndodhur një aksident në autostradën Lezhë – Fushë Krujë, në vendin e quajtur Kryqëzimi i Shënkollit. Sipas tyre, mjeti tip "Benz", me targa KR 57 06 A, me drejtues shtetasin Xhafer Isufi nga Laçi, është përplasur me automjetin tip "Audi", me targa TR 3666 N, me drejtues Dritan Hysenaj nga Tirana. Si pasojë e këtij aksidenti është plagosur bashkëshortja e Xhafer Isufit, Elona Isufi, dhe vetë shoferi, i cili ka marrë dëmtime më të lehta. Burime nga Drejtoria e Policisë e Qarkut thanë se gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetën.

E la zemra, gjendet 19-vjeçari i mbytur në lumin Mat

LEZHË - Mbrëmjen e së premtes në ujërat e lumit Mat është gjendur trupi i pajetë i një të riu. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë e Lezhës bënë të ditur të shtunën paradite se pas informacionit të dhënë nga një kalimtar i rastit forcat e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje, duke nxjerrë trupin e pajete të të riut. Sipas policisë, viktima është Melkior Makaj, 18 vjeç, banues në fshatin Tale të rrethit të Lezhës. Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se shkak i mbytjes së 18-vjeçarit Makaj ka qenë ataku kardiak si pasojë e kontaktit me ujin e ftohtë të lumit. Gjithsesi po vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Fluks i madh në Kapshticë, për një ditë kalojnë 6 mijë emigrantë

KORÇË - Në vendkalimin kufitar të Kapshticës (Devoll) gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë nga Greqia mbi 6 mijë persona, kryesisht emigrantë, duke shënuar kështu fluksin më të madh të të ardhurve me rastin e pushimeve të verës. Komandanti i policisë kufitare në këtë vend kalim kufitar, Qamil Zhgaba, bëri të ditur se "në ditës së premte deri në orët e para të së shtunës kanë hyrë nga Greqia mbi 6 mijë persona, ndërsa në dalje për në shtetin fqinj janë regjistruar afro 1500 udhëtarë". Sipas komandantit të policisë kufitare në Kapshticës, ky numër të ardhurish nga Greqia ka shënuar fluksin më të madh të të ardhurve deri tani, dhe ky qarkullim i lartë njerëzish dhe mjetesh ka qenë i pritshëm pikërisht me fillimin e muajit gusht. Autoritetet kufitare shqiptare në Kapshticë po punojnë me kapacitet maksimal, pasi kanë në punë 6-7 sportele. Që nga data 20 qershor kur ka filluar ardhja e emigrantëve me rastin e pushimeve të verës, në doganën e Kapshticës kanë hyrë nga Greqia mbi 50 mijë udhëtarë, bënë të ditur burimet e mësipërme.

4 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›