E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha sfidon Bejën, shfuqizon urdhrin për shkarkimin e 3 mijë mësuesve

Kryeministri Berisha shfuqizon urdhrin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, i cili largonte nga puna 3 000 mësues. Ky lajm bëhet i ditur nga burime pranë kryeministrit. Sipas tyre, me anë të një vendimi të posaçëm për shfuqizimin e urdhrit të lëshuar në muajin shkurt nga ministri Beja, këta 3000 mësues fitojnë të drejtën e moslargimit nga vendi i tyre i punës. Ky është një lajm i mirë për ata, pasi urdhri i mëparshëm, i cili u shfuqizua prej Berishës, krijoi konfuzion tek radhët e tyre, por ngjalli edhe reagimin e fortë të sindikatave të Arsimit të cilat u deklaruan menjëherë në krah të tyre. Vendimi i nxjerrë në muajin shkurt parashikonte që 3000 arsimtarë të sistemit parauniversitar do ti linin vendet e tyre të punës, për tu zëvendësuar me mësues që paguhen në bazë të orëve, dhe jo më me kontratë me afat. Në udhëzimin e veçantë të Bejës thuhej se arsimtarët me kontratë të përkohshme do të zëvendësoheshin me mësues në dispozicion, të cilët do të paguhen në bazë të orëve. Por sindikalistët, që mbrojnë të drejtat e arsimtarëve në të gjithë vendin, kërkuan anulimin e menjëhershëm të këtij udhëzimi. Sipas tyre, Ministria e Arsimit, para se të formulonte dhe të miratonte një vendim të tillë duhej të kontaktonte me grupet përkatëse të interesit. Por kryeministri Berisha, ka reaguar duke mos i dhënë mundësi legjimiteti dhe zbatueshmërie këtij udhëzimi.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›