E Diel, 1 Nëntor 2026

Ardian Turku kreu i ri i MTKRS, Topi dekreton shkarkimin e Pangos

Ardian Turku është propozuar nga kryeministri Berisha si ministër i ri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pas shkarkimit të Ylli Pangos. Ardian Turku, aktualisht është kryetar i qarkut të Elbasanit. Në vitet 2003-2007 ai ka drejtuar Bashkinë e këtij qyteti. Ai u zgjodh në krye të bashkisë, si prurje e botës akademike. Më parë, pedagogu i psikologjisë mbante postin e Rektorit të Universitetit të Elbasanit "Aleksandër Xhuvani". Ai mban titullin Profesor i Asociuar. Është anëtarësuar në Partinë Demokratike, pas përmbysjes së sistemit komunist në fillim të viteve '90.  Në këtë mënyrë, Turku do të jetë ministri i tretë i kësaj ministrie në mandatin katër vjeçar të qeverisë Berisha, pas Bujar Leskajt dhe Ylli Pangos. Zgjedhja përfundimtare e kryeministrit Berisha, për Ardian Turku ka qenë nisur nga serioziteti në punë i tij, nga përvoja në administratë dhe përvoja e tij akademike. Kjo e fundit është një përvojë thuajse e përbashkët me atë të Ylli Pangos, pasi që të dy, si Pango edhe Turku kanë përvojë pedagogjike, madje të së njëjtës fushë, në psikologji. Një ndër arsyet më të rëndësishme, që kryeministri Berisha ka bërë përzgjedhjen e Turkut mund të jetë dhe llogaritja elektorale. Qarku i Elbasanit është një ndër tre qarqet më të mëdha në vend, pas Tiranës dhe Fierit, çon edhe më shumë deputetë në parlament, 14. Por, sido që të ndahen mandatet më 28 qershor, me zgjedhjen e zotit Turku, kryeministri Berisha bëri edhe një lëvizje tjetër të detyruar, duke larguar kështu nga qeveria një tjetër përfaqësues të KOP-it, të përfshirë në çështje publikisht të debatueshme, pas spostimit të ish- ministrit të Transporteve Basha. Propozimi për shkarkimin e Pangos, erdhi si pasojë e një skandali seksual, dhe emërimi i ministrit të ri, pritet t'i dërgohet Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Turkut do t'i duhet të drejtojë vetëm për dy muaj ministrinë e Kulturës pasi në muajin qershor pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare do të kemi një qeveri të re. Një ditë më parë, kryeministri Berisha urdhëroi shkarkimin e ish ministrit Ylli Pango, pasi ai u përfshi në një skandal seksual të faktuar edhe me video. Shkarkimin e Ylli Pangos e ka dekretuar ndërkohë edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi. Kreu i shtetit e ka marrë këtë vendim në bazë të kërkesës së kryeministrit Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›