E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga fundi i listave për deputetë në LSI, 3 këshilltarët bashkiakë përfundojnë në fund të listave të PS

Qysh nga dita e djeshme, tre këshilltarë bashkiakë të qytetit të Vlorës nuk do të jenë më përfaqësues të partisë së LSI, por do të jenë pjesë e grupit të këshilltarëve të PS. Këtë e kanë shprehur me vullnet të lirë vetë këta tre këshilltarë, në një deklaratë bërë në mbledhjen e këshillit bashkiak. Ndërkohë, përfaqësues të tjerë të LSI në këtë këshill e kanë cilësuar këtë akt, tradhti të bërë për interesa vetjake, pasi sipas tyre, ata kërkonin të ishin në krye të kësaj partie në çdo listë. Gjithçka ka ndodhur në fillim të kësaj mbledhjeje. Në emër të të tre të larguarve nga LSI drejt PS e ka marrë fjalën vetë kryetarja e grupit të këshilltarëve të LSI, njëherazi edhe nënkryetare e kësaj partie të degës së qytetit të Vlorës, Albana Hodaj. Ajo është shprehur se deklarata bëhet edhe në emër të dy këshilltarëve të tjerë, Artan Licaj dhe Morand Hoxha. Në këtë deklaratë  shprehej vullneti i të tre këshilltarëve që linin grupin e këshilltarëve të LSI dhe i bashkangjiteshin grupit të këshilltarëve të PS. E gjitha kjo bëhej, sepse tre këshilltarët që ishin njëkohësisht edhe nga më aktivët në jetën e degës së partisë në qytet nuk e ndjenin veten të vlerësuar nga partia qendër për kontributin e dhënë deri tani për këtë parti. Ata shprehnin besimin se këtë mungesë vlerësimi që u ishte mohuar në këtë parti do ta gjenin në partinë ku po shkonin. Ndërkaq, i menjëhershëm ka qenë reagimi i këshilltarëve të tjerë të LSI në këtë këshill, në emër të të cilëve është shprehur këshilltarja Shqiponja Korkaj. Sipas saj, ky largim nuk bëhej në emër të idealeve apo mosvlerësimit të tyre në këtë parti, por vetëm për interesa personale të të larguarve, që kërkonin medoemos të ishin të parët në çdo listë emërore të kësaj partie. Në të vërtetë opinioni politik vlonjat thuajse ishte përgatitur për këtë largim përderisa u tha ditë më parë se të larguarit kishin kërkuar të ishin në krye të listës së deputetëve vlonjatë përfaqësues të kësaj partie, por nga qendra kishte ardhur një përgjigje negative. Po ashtu, priten edhe zhvillime të tjera në këtë parti në këtë degë sepse sipas orientimeve të ardhura nga qendra, të tjerë aktivistë të kësaj partie kanë marrë përsipër të drejtojnë fushatën elektorale duke spostuar drejtuesit kryesorë të kësaj dege që themeluan këtë parti dhe e kanë drejtuar atë deri më sot. Megjithatë duhet theksuar edhe fakti tjetër se të larguarit nga ky këshill mendojnë se do të gjejnë strehë më të ngrohtë në partinë ku shkuan ndërkohë që zëra nga PS theksojnë se ata do të jenë përsëri nga të fundit në listën e kësaj partie sepse vendet këtu janë zënë qyshkur. Nuk janë shprehur veças për këtë largim të tre këshilltarët duke u mjaftuar të theksojnë se gjithçka e kanë shprehur në deklaratën e largimit. Po ashtu nuk ka asnjë reagim nga drejtuesit e kësaj partie të degës së qytetit të Vlorës përveç deklarimit të këshilltares Korkaj bërë në mbledhjen e këshillit bashkiak dhe që e dënon këtë largim, duke e quajtur thjeshtë për përfitime personale.
  *******************************************************************
Këshilltarët socialistë të Vlorës, presion për rikthimin e kolegut Gjika  
Këshilltarët socialistë të Vlorës do të bojkotojnë të gjitha mbledhjet e këshillit bashkiak apo ato të këshillit të qarkut përderisa nuk është bërë rikthimi në punë i këshilltarit socialistë Sokol Gjika, përjashtuar nga detyra si pedagog i universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës pak ditë më parë pasi kishte munguar në një orë mësimi sepse ishte i angazhuar në mbledhjen e këshillit bashkiak ku përfaqëson PS. Deklarata është bërë nga kryetari i grupit socialist në këtë këshill, njëherazi edhe kryetari i PS dega Vlorë, Eltar Deda. Jo vetëm kaq por edhe praktikisht këshilltarët socialistë janë larguar menjëherë nga mbledhja duke vënë në zbatim atë që shprehën në deklaratë. Sipas Dedës, shkarkimi nga detyra e Gjikës është bërë duke shkelur çdo rregullore pedagogjike dhe çdo ligj të funksionimit të pushtetit vendor dhe ndonëse i është dërguar letër të gjitha institucioneve që përgjigjen për këtë problem, deri ministrit të Arsimit dhe atij të Brendshëm, nuk është marrë asnjë përgjigje. Në mënyrë taksative, Deda ka deklaruar se përderisa nuk është bërë rikthimi në punë i këshilltarit socialistë Sokol Gjika, këshilltarët socialistë do të bojkotojnë mbledhjet e këshillit bashkiak dhe të këshillit të qarkut. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të grupit të këshilltarëve demokratë njëherazi aktualisht edhe kryetari i degës së PD të qytetit, Agron Sharra. Ai e ka quajtur këtë largim dhe vendimin për mospjesëmarrje të këshilltarëve socialistë në mbledhje pjesë të fushatës elektorale dhe një urdhër të marrë nga Edi Rama. Sipas Sharrës nuk ka asnjë urdhër për largim të Gjikës nga puna dhe se në fund të fundit kjo është në kompetencën e universitetit që nuk ka asnjë lidhje me partitë në këtë qytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›