Berisha shkëmben pasuritë me të bijën Argita
Argita merr shtëpinë e vjetër, Berisha apartamentin e ri. Vajza e kryeministrit shet shtëpitë e saj TIRANË- Kryeministri shqiptar Sali Berisha, më në fund ka arritur që të marrë borxhin prej 2.1 milionë lekësh të reja që i kishte dhënë vite më parë vajzës së tij Argita Malltezi. Por këtë veprim ai e ka bërë duke i "falur" asaj 2/3 e shtepisë së vjetër të tij, e cila ndodhet në rrugën Prokop Myzeqari. Veprimet financiare mes kryeministrit dhe të bijës kanë vazhduar edhe në likuidimin e plotë të apartamentit të ri të marrë nga Sali Berisha. Ai ndodhet në një nga zonat më të preferuara të Tiranës, pranë Liceut Artistik Jordan Misja, dhe tashmë kryeministri është pronari i vetëm.
Nga ana e saj edhe e bija, Argita Malltezi ka kryer veprime të tjera financiare duke shitur të paktën tre ose katër apartamente që ka pasur në pronësi të saj. Të gjitha këto detaje ndodhen në deklarimin e pasurisë së bërë nga kreu i qeverisë shqiptare, i cili do të bëhet publik i plotë nga "Shekulli". Sipas deklaratës së plotësuar nga vetë kryeministri Berisha, atij i është pakësuar 2/3 e apartamentit dhe i është likuiduar plotësisht huaja prej 2.1 milionë lekësh të reja që i ishte dhënë më parë të bijës. Pikërisht kjo hua ishte edhe shkaku që Argita Malltezi bënte çdo vit deklarimin e saj periodik të pasurisë. Me shlyerjen e huasë ajo nuk ka asnjë detyrim tjetër ligjor që të bëjë deklarimin e pasurisë.
Por, sipas vetë kryeministrit, dhënia e apartamentit të tij të vjetër është bërë me një kusht. Ai e ka shkëmbyer atë me një apartament tjetër në katin e katërt të një pallati shtatëkatësh shumë pranë qendrës së Tiranës. Përveç apartamentit ai ka përfituar edhe një vend parkimi nëntokësor. Në një situatë të tillë është edhe e bija e kryeministrit. Përveç shkëmbimeve të apartamenteve dhe shlyerjes së borxhit që ka bërë Argita Malltezi me të atin, ajo ka bërë "biznes" edhe me shitjen e apartamenteve. Sipas deklarimit të saj, i cili nuk është bërë plotësisht publik nga autorite- tre ose katër apartamente që kanë qenë në pronësinë e saj. Detajet e shitjes së apartamenteve apo vlera e shitjes së tyre nuk është bërë publike nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Ky institucion nuk ka bërë publike as të ardhurat apo fitimet e Argita Malltezit nga firma e saj avokatore.
Sipas deklarimit zyrtar të pasurisë, viti 2007 ka qenë i mbushur me shtesa të vogla në pasurinë e kreut të qeverisë shqiptare. Kryeministri në emër të tij dhe të bashkëshortes ka të shënuara tetë llogari bankare, të gjitha në banka të nivelit të dytë. Zyrtarisht në këto llogari bankare ka vetëm shuma të vogla parash dhe për pasojë shtesat dhe pakësimet në to janë të papërfillshme. Kështu, pas një sërë lëvizjesh të vogla bankare, kryeministrit dhe bashkëshortes së tij u janë pakësuar llogaritë në shumën 360.852 lekë të reja. Ndërkohë ai ka shtuar në një prej llogarive të tij bankare një shumë prej gjashtë mijë eurosh. Në zërin e pagave dhe të ardhurave të tjera, kryeministri Berisha ka shënuar se për një vit ka marrë 2.540.520 lekë të reja nga puna në kryeministri. Këtyre u shtohen edhe 386.250 lekë të reja nga pagesat në KRRTSH dhe dietat jashtë vendit. Në shifra shumë të vogla janë të ardhurat e bashkëshortes së tij nga puna në qendrën shëndetësore Nr.4 në Tiranë. Në total Liri Berisha ka përfituar gjatë një viti 339.549 lekë të reja. Të gjitha këto deklarime të kryeministrit Berisha do të verifikohen gjatë këtyre ditëve nga inspektorët e ILDKP-së.