Pedagogë në koncert
Pranvera e Akademisë vijon me një trio artistësh- pedagogë. Një koncert ku ndërthuret muzika, video projeksioni dhe elektroakustika, prezantohet sot në mbrëmje, në orën 19.00 në sallën e madhe të Akademisë së Arteve në Tiranë. Bëhet fjalë për një kombinim interesant muzikantësh, Fatos Qerimaj në klarinetë, Arben Llozi në violinë dhe Merita Rexha në piano. Koncerti, i cili organizohet në kuadër të Stinës Koncertore Pranverore të Akademisë së Arteve risjell për publikun artistët, të cilët kanë një aktivitet të përhershëm si solistë me një veprimtari të gjerë në skenat shqiptare dhe ato të huaja. Në performancën audio-vizive interpretohet muzikë nga Moxart (Trio, Andante, Minuetto, Rondo, allegretto), Shuman (Lebhaft, nicht zu schnell, Ruhiges tempo mit zartem Ausdruck, etj), si dhe Qerimaj. Është koncerti i radhës pas atij të pak ditëve më parë në Akademinë e Arteve ku studentë interpretuan vepra nga Benjamin Godard, Antonin Dvorzhak, Alessandro Scarlati, Giuseppe Verdi, Hendel, etj.