SHBA, Hillari fiton në Pensilvani, eviton eleminimin
Në garën për kandidaturën e demokratëve në zgjedhjet presidenciale amerikane, senatorja Hillary Clinton shënoi në Pensilvania një fitore shumë të rëndësishme. Sipas numrimeve më të reja, senatorja ka fituar rreth dhjetë përqind më shumë vota se kundërkandidati i saj, Barack Obama. Në këtë mënyrë Hillary Clinton ia doli të evitojë eliminimin e parakohshëm dhe shpreson se tani ka filluar një kthesë në trendin e votimeve.
"Me votat tuaja sot në Pensilvania është shënuar kthesë dhe ka filluar një faqe e re", deklaroi Hilary Clinton, e përshëndetur nga mijëra simpatizantë të saj në Philadelphia. Si fitues u tregua edhe Obama, i cili deri tani ka siguruar më shumë vota të delegatëve.
"Sonte dua të fillojë me urimin për fitoren e sotme të senatores Clinton, e cila bëri një garë shumë të mirë, por dua të falënderojë mijëra e mijëra njerëz nga Pensilvania të cilët kanë ndihmuar fushatën tonë", theksoi Obama. Deri në fund të garës do të votohet edhe në nëntë shtete.
Në bllokun e republikanëve, senatori John McCain është kandidati i kësaj partie në zgjedhjet presidenciale të cilat zhvillohen në nëntor të këtij viti.