Genc Ruli blen fuoristradën 28 mijë euro
TIRANË- Një situatë pothuajse të ngjashme me ministrin e Financave, ka edhe ai i Ekonomisë, Genc Ruli. Edhe ky ministër ka arritur që të shlyejë tërësisht këtë vit kredinë prej 13 mijë eurosh për makinën e re që ka blerë. Kjo makinë është në përdorim të së shoqes dhe është paguar me këste mujore prej 605 eurosh. Edhe vetë ministri ka ndërruar këtë vit makinë. Ai ka pasur një fuoristradë të vitit 2003 por e ka shitur për 25 mijë euro. Duke shtuar edhe tre mijë euro ai ka blerë për 28 mijë euro një tjetër fuoristradë të përdorur të vitit 2005. Ndërkohë Genc Ruli ka arritur që të përfitojë më së miri nga paratë që ka investuar në banka dhe bono thesari. Kështu ai ka shënuar në deklarimin e tij të pasurisë se ka përfituar 10.656 dollarë amerikanë 2036 euro dhe 821.524 lekë të reja nga interesat bankare dhe bono thesari. Të ardhurat e tjera të ministrit kanë qenë paga e tij prej 1.954.800 lekësh të reja dhe shpërblimi prej 180.000 lekësh të reja nga KRRTRSH. E shoqja ka marrë një pagë vjetore prej 1.758.000 lekësh të reja.