E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku po na çon marrëveshja PD-PS

Fatos Lubonja shkruan posaçërisht për "Korrieri"-n

Në shtyp po komentohet shumë marrëveshja Berisha-Rama, ose PD- PS, kundër partive të vogla, “të tretëve”, që u vu në jetë kryesisht nëpërmjet dy ndryshimesh të rëndësishme në ligj. I pari është ligji zgjedhor, i cili nga mazhoritar i përzier me proporcional, kalon në proporcional rajonal. I dyti është ndryshimi i ligjit kushtetues, që zgjedh presidentin, i cili kalon nga zgjedhja me 3/5-at, në zgjedhjen me mazhoritar të thjeshtë.

Le të marrim dhe t’i analizojmë këto ndryshime, se çfarë përfaqësojnë në raport me vështirësitë që kanë paraqitur ligjet paraardhëse, për të kuptuar më mirë se nga çfarë qëllimesh janë nisur ndryshuesit e tij dhe ku mund të na çojnë ndryshimet.

Normalisht, një ndryshim ligji kryhet kur lehtëson apo zgjidh një vështirësi të krijuar nga ligji paraardhës, i cili prek interesin e të gjithëve apo plotëson një mangësi. Çfarë problemi kemi pasur ne me ligjin për zgjedhjet? Problemi kryesor ka qenë se, duke shfrytëzuar ligjin paraardhës, forcat politike kanë shtrembëruar përfaqësueshmërinë e drejtë për shkak të fenomenit të Dushkut, që ka nxjerrë në Parlament parti pa elektorat, që kanë marrë votat e partive të mëdha, pastaj kanë tradhtuar këto parti për interesa të liderëve. Këtyre u duhet shtuar edhe fenomenin “demokristian”, d.m.th. i deputetëve që, pasi kanë marrë vota nga elektorati i një partie të madhe, shkëputen prej tyre e krijojnë parti parlamentare për të shantazhuar mazhorancën apo edhe opozitën. Gjithkush i ka konsideruar këto anomali që duhet të korrigjohen në emër të moralitetit të politikës dhe përfaqësueshmërisë së drejtë. Por, a synon ky ndryshim zgjedhor këtë korrigjim? Së pari, duhet thënë se më shumë sesa problem i ligjit, ky fenomen ka qenë problem i moralitetit të politikanëve tanë dhe i mungesës së lidhjeve reale parti-elektorat, sepse me parti që nuk pranojnë ta përdorin elektoratin si turmë të telekomanduar votuesish dhe me elektorat që e ndëshkon partinë e vet, kur kjo, pasi i merr votën majtas, shkon e futet në qeveri djathtas, ndaj ky fenomen nuk do të ndodhte edhe me ligjin paraardhës zgjedhor. Nëse ligji i ri do të synonte korrigjimin e problemit të përfaqësueshmërisë së drejtë, me synimin që çdo parti të merrte aq sa i takon, korrigjimi më i drejtë do të ishte proporcionali në nivel kombëtar, duke vënë një prag, le të themi, prej 3-4 për qindësh. Kjo do të ishte e nevojshme që shqiptarët edhe të mos paguanin parti kot, edhe të mund të shprehnin diversitetin e zgjedhjeve të tyre, por mbi të gjitha, të kishin hapësira lirie zgjedhjeje përtej darës së krijuar nga dy partitë. Kurse proporcionali rajonal, kështu siç është bërë, përsëri e deformon përfaqësueshmërinë, sepse ai e ngre pragun për partitë e vogla deri në 15 për qind, duke bërë që gjithë votat nën këto shifra të shkojnë për dy partitë e mëdha. Me këtë sistem kalojmë nga mundësia për dushk në një dush(k) të detyruar. A kishte vendi nevojë për këtë reduktim, apo kishin më shumë këto dy parti? Sipas mendimi tim, kjo është dukshëm në përfitim të të dyja partive dhe jo të vendit. Sepse vendi, me gjithë shumësinë e partive, të fenomenit “dushk” e “demokristian”, nuk ka vuajtur më shumë nga këto, sesa nga diktati i mazhorancave që kanë ardhur duke qeverisur gjithnjë e më keq dhe, për të ndëshkuar ato, ka qenë e dobishme edhe ekzistenca e partive të tjera më të vogla, që në momente të caktuara janë ndarë prej tyre. Ndërsa ky ligji e shton rrezikun e diktatit të mazhorancës dhe të pashkulshmërisë së tyre nga pushteti. Dhe, tek e fundit, nuk i pengon fenomenet e imoralitetit në politikë të tipit “dushk” apo “demokristian”, sepse këto dy parti po tregojnë me këtë ndryshim të dhunshëm dhe të pamoralshëm ligji të njëjtin moral që ka bërë “dushkun” dhe fenomenin “demokristian”.

Së dyti, kemi problemin e presidentit. Le të nisemi edhe një herë nga problematika që ka pasur vendi lidhur me institucione si ai i presidentit. Problematika kryesore që ka pasur vendi, së bashku me diktatin e mazhorancës dhe kontrollin prej saj të institucioneve, ndër ta edhe të Presidentit, ka qenë mungesa e arbitrit midis dy forcave kryesore konfliktuese, mungesa e institucioneve të tillë që do të mund të zbusnin, do të mund kundërbalanconin pushtetin e dy partive të mëdha; që do të vendosnin për të drejtën në rastin e konflikteve midis tyre apo të akuzave që ato i bëjnë njëra-tjetrës. Zgjedhja e presidentit ashtu siç ishte, qe vërtet e vështirë; paraqiste rrezikun e destabilizimit të vendit nëpërmjet zgjedhjesh pafund, por impononte zgjedhjen e një figure më të moderuar e të pranueshme nga palët. Dhe duke pasur parasysh edhe faktin se nga ky president sot varen institucione të tjera shumë të rëndësishme për ekuilibrimin e pushtetit të partive, si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria, SHIK-u etj., një president i zgjedhur me mazhorancë të thjeshtë e bën edhe më të vështirë ekzistencën e institucioneve të pavarura nga pushteti i partive, aq të nevojshëm për vendin.

Është përsëri mëse e qartë, se edhe kjo zgjedhje nuk bëhet duke pasur parasysh problemet e vendit dhe interesat e tij, por interesat e pushtetit të të dyja partive dhe liderëve të tyre.

Për më tepër, vendosja e këtyre dy ndryshimeve së bashku tregon edhe më qartë se, në thelbin e vet, këto dy ndryshime janë bërë me synim monopolizimin e pushtetit nga dy partitë e mëdha. Vendi me këtë zgjedhje rrezikon më shumë nga sa ka rrezikuar deri më sot të vuajë diktatin e mazhorancës dhe, po ashtu, të mbesë viktimë e dy partive, sepse këto dy parti, nëse nuk do të mbeten të vetme, do të bëhen kështu më të pakontrollueshme nga partitë e tjera më të vogla, nga mundësia e lindjes së forcave të reja politike dhe nga institucione të tjera garantuese të demokracisë. Mungesa e dukshme e hetimeve për Gërdecin dhe në përgjithësi mungesa e luftës kundër korrupsionit të penguar deri dje, sipas Berishës, për shkak të Sollakut, ndërkohë që tani po kemi një kryeprokuror që jep shenjat se nuk ndryshon asfare nga Sollaku për sa i përket nënshtrimit ndaj pushtetit të dy partive, janë shenjat më të dukshme se këtu kemi të bëjmë me një marrëveshje që ka në prapaskenë bashkëfajësinë dhe mbrojtjen e njëra-tjetrës.

Por, duke e parë këtë marrëveshje në një nivel pak më të thellë, do të thosha se kjo është një marrëveshje që ka ekzistuar prej kohësh. Është e kotë të fshihemi pas gishtit. Ka shumë vjet tashmë, që këto parti nuk tregojnë ndonjë diferencë kulturore apo ideologjike dhe as në moral. Ka shumë vjet që këto parti u drejtohen shqiptarëve vetëm me pretendimin se mund t’i përfaqësojnë më mirë interesat e tyre sesa kundërshtari. Ka kaq kohë që flasin vetëm për reforma standarde, për mungesë të majte dhe të djathte. Nëse do të flasim për diferenca midis tyre, këto kryesisht i përkasin historisë. PD-ja lindi si një parti antikomuniste, që denoncoi të kaluarën e PS-së dhe nxori një kategori të re politikanësh, që la pa punë shumë ish-komunistë. Në fakt, Berisha në vitet 1992 - 1997 nuk luftoi të mbrojë pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri. Ai tentoi praktikisht ta zhdukë opozitën. Kjo rezistoi, sepse Berisha bëri shumë gabime, më së pari, sepse kishin mbetur shumë ish-komunistë që nuk pranonin t’u përbaltej Lufta Nacional-Çlirimtare. Së dyti, edhe sepse njerëzit e PD-së zaptuan thuajse tërë administratën, duke lënë pa punë shumë njerëz të socialistëve.

Sot këto diferenca vijnë gjithnjë e më shumë duke u zbehur. Historia komuniste apo antikomuniste e dy partive nuk i intereson shumicës, aq më tepër që të dyja palët e kanë pasur të rrejshme këtë retorikë. Mjafton të kesh parasysh faktin se partia antikomuniste ka ende në krye një ish-komunist fanatik, kurse ajo ish-komuniste ka në krye një individ që e ka filluar aktivitetin e tij politik me parullat e ekstremistit antikomunist. Për sa u përket gabimeve, të dyja palët janë zhytur tashmë në aq shumë mëkate, saqë e bëjnë të pakthyeshme për mirë karrierën e liderëve kryesorë, që kanë prej kohësh një pabesueshmëri në rritje në popull. E vetmja diferencë që mbetet, është ajo e interesave të përkundërta të militantëve dhe të oligarkëve që mbështesin njërën parti apo tjetrën. Por edhe këto janë zbutur mjaft tashmë, sepse gjatë këtyre vjetëve të fundit ato kanë ndarë pushtetet (lokal dhe qendror), sepse shumë oligarkë kanë bërë kujdes t’i sponsorizojnë të dyja palët, dhe sepse politikanët kryesorë të të dyja palëve kanë krijuar tashmë pasurinë e tyre dhe më shumë synojnë t’i sigurojnë e mbrojnë ato, ngase shumica janë vënë me korrupsion. Dhe rreziku i vetëm që i kërcënon është kundërshtari politik. Ja një arsye më shumë pse duhet marrëveshja. Ja dhe një arsye më shumë pse duhen hequr qafe ambiciet e partive të vogla apo duhet evituar ekzistenca e institucioneve të pakontrolluara nga pushteti i tyre. Kësisoj, e ardhmja duket drejt një kapitalizmi autoritar të tipit Putin, ku s’përjashtohet edhe mbetja nesër e një partie të vetme të madhe që siguron 70-80 për qind të votave. Realisht ne jemi në një gjendje të tillë për sa i përket përfaqësueshmërisë së partive politike. Është gjendja jonë e pluralizmit partiak që nuk i përgjigjet këtij realiteti, i cili ende na ofron parti “të tepërta”. Ndoshta edhe fakti se ndryshe nga Rusia, ajo që mund ta hedhë shumë shpejt në erë këtë ëndërr të keqe të Putinëve tanë, është fakti se ekonomia e ngritur nga oligarkët tanë është shumë e brishtë, shumë aventureske dhe spekulative për të hedhur themele të qëndrueshme të një kapitalizmi autoritar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›