Paloka: Qeveri ndryshe

Deputeti i PD-së, Edi Paloka, i zgjedhur në zonën që la të lirë Bamir Topi pasi mori mandatin presidencial, përsërit nevojën që “të ndryshohet edhe struktura e qeverisë”. Ai thotë gjithashtu, se votimi për ndryshimet kushtetuese është bërë “për hir të bashkëpunimit me PS-në” dhe mendon se PD-ja duhet “të dalë e vetme në 2009”, kurse “aleatët në një grupim”. Por ai thekson se zgjedhja e presidentit nga populli do të ishte një variant i mirë. Paloka thotë gjithashtu, se ndryshimi i pozicionit të deputetëve demokratë që kishin firmosur për presidentin nga populli, erdhi si pasojë e respektimit të bashkëpunimit me PS-në.
-Ndryshimet kushtetuese, sidomos për çështjen e presidentit, ringjallën imazhin e grupimeve brenda Partisë Demokratike. Vazhdon Partia Demokratike t’i qëndrojë mendimit se këto grupime nuk ekzistojnë brenda saj?
-Edi Paloka: “Unë e kam thënë disa herë, që ideja e grupimeve në PD nuk është realiste. Për rastin e fundit të votimit që iu bë paketës kushtetuese në Parlament, është e vërtetë që pati mendime të ndryshme brenda Partisë Demokratike. Unë jam një nga ata që firmosa, megjithëse jam anëtar kryesie. Kryesia e kishte marrë një vendim. Unë firmosa për zgjedhjen e presidentit nga populli dhe mund të them që prapë jam i bindur që ajo do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë çështje, për dy motive. Së pari, mendoj që do të ishte në të mirë të Partisë Demokratike dhe, së dyti, fakti që kjo mënyrë u jep qytetarëve të drejtën për të zgjedhur drejtpërdrejt një nga pushtetet më të rëndësishme të shtetit. Megjithatë, ne bëjmë pjesë në një grupim dhe përderisa u mor një vendim politik nga Partia Demokratike dhe grupi parlamentar i saj, sigurisht që, pavarësisht mendimit personal, unë votova ashtu siç vendosi grupi”.
-Ju e hidhni poshtë idenë e grupimeve, megjithatë janë të njëjtët emra që vazhdimisht kanë mendime ndryshe nga shumica e PD-së. Si e shpjegoni këtë?
“E thashë dhe e përsëris, ideja e grupimeve në Partinë Demokratike nuk është realiste. Mund të duket sikur janë të njëjtët persona, por unë nuk mendoj se është kështu. Edhe në dokumentin e fundit firmosën rreth 40 deputetë dhe nuk mund të thuash se këta 40 deputetë janë pjesë e një grupimi. Duhen ndarë shoqëritë dhe marrëdhëniet personale të gjithsecilit nga bindja politike. Është e vërtetë që një pjesë e deputetëve që kishin firmosur aty, i qëndruan pozicionit të tyre edhe në votimin në Parlament, por kjo është zgjedhja e tyre personale”.
-Tashmë ato ndryshime kushtetuese u miratuan. Iniciativa e presidentit nga populli është mbyllur me kaq, apo mund të ketë ndonjë lëvizje tjetër?
“Askush nuk ndalon iniciativat në Parlament të deputetëve. Praktikisht është marrë një vendim. Çdo grup deputetësh që ka bindjen që mund të ndryshohet prapë Kushtetuta, mund ta bëjë një kërkesë të tillë. Se sa mund të realizohet plotësimi i numrit të votave për të arritur këtë, unë nuk e di. Fakti është që Partia Socialiste mori një vendim politik dhe doli kundër zgjedhjes së presidentit nga populli, gjë që solli edhe ndryshimin e pozicionit tonë. Edhe Partia Demokratike mori pastaj vendimin e saj për të votuar në bazë të konsensusit që ishte arritur. Se çfarë mund të ndodhë më pas, kjo varet nga iniciativat që mund të marrin deputetët. Ndryshimet kushtetuese zbehën disi zërat për ndryshimet qeveritare”.
-Tani që kjo fazë kaloi, a është momenti i përshtatshëm që këto ndryshime të bëhen?
“Unë e kam shprehur disa herë që duhet të ketë ndryshime qeveritare. Personalisht, nuk jam vetëm për ndryshim emrash, unë jam edhe për ndryshim strukture, pasi ne gjendemi përpara reformave të reja që duhet të ndërmarrim. Unë mendoj që edhe ristrukturimi i qeverisë apo edhe i administratës shtetërore duhet bërë duke u bazuar pikërisht në reformat që duhet të ndërmarrim. Pra, kam qenë gjithmonë për ndryshime, duke u bazuar tek ato reforma që Partia Demokratike duhet të ndërmarrë si parti që drejton këtë shtet sot”.
-Partia Demokratike u ka premtuar aleatëve daljen në zgjedhjet e vitit 2009 si një koalicion. Sa qëndron ky premtim dhe si mund të jetë ky koalicion?
“Unë nuk mund të parashikoj se çfarë forme do të ketë koalicioni i ardhshëm. Unë vetë kam dhënë një ide lidhur me koalicionin, duke pasur parasysh këtë sistem zgjedhor që u miratua në Parlament. Kam dhënë idenë që Partia Demokratike të votohet më vete dhe të gjitha partitë aleate në një grupim më vete. Pra, që aleatët e PD-së të krijojnë një grupim me vete, në mënyrë që të mos ketë humbje votash. Por unë kam qenë dhe jam që çdo parti duhet të marrë atë që i takon dhe në bazë të kësaj, koalicioni mund të jetë parazgjedhor ose paszgjedhor. Por duhet të jemi realistë, që gjithsecili në fund duhet të marrë atë që i takon realisht, pasi deri tani, qoftë me “Dushkun”, qoftë me forma të tjera, askush nga ne nuk di se sa janë përqindjet reale të partive, qoftë të majta, qoftë të djathta”.