Mançesteri rigjen fatsjellësin Kamp Nou

Mançester Junajtid rikthehet në “Kamp Nou” për herë të parë qysh prej majit të vitit 1999, kur fitonte trofeun e dytë të UEFA Champions League, kundër Bajernit të Mynihut. Përpara se “djajtë e kuq” të fillojnë të ëndërrojnë se kë do të kenë në finale, Çelsin apo Liverpulin, më përpara duhet të kalojnë Barcelonën, e cila ashtu si edhe kundërshtarët, kërkon trofeun e tretë këtë sezon. Barcelona nuk është aspak në një moment të mirë, të paktën në kampionatin spanjoll, ku ka humbur edhe vendin e dytë. Për Frenk Rajkard shqetësimi vetëm mbetet Tierri Henri, i cili nuk është stërvitur të hënën, për shkak të temperaturës. Francezi nuk u aktivizua ndaj Espanjolit pikërisht për këtë arsye. Lilian Turam dhe Edmilson gjithashtu nuk janë stërvitur. Karles Pujol do t’u mungojë katalanasve në këtë ndeshje, për shkak të pezullimit prej kartonëve. Sër Aleks Ferguson nuk arritur dot të fitojë ndaj Blekbërnit, duke lënë ende të hapur kampionatin anglez me Çelsin, që e ndjek me tri pikë. Junajtid vjen në këtë ndeshje me petkun e favoritit. Ferguson rigjen Vidiç, që pritet të formojë mbrojtjen me Rio Ferdinand. Për Pol Skols, kjo të jetë ndeshja e 100-të në Champions, të gjitha me fanellën e “djajve të kuq”. Mançesteri sezonin e kaluar u eliminua nga Milani në gjysmëfinale, ndërsa Barcelona shumë më herët nga Liverpuli, e cila mbetet skuadra vetme angleze që ka fituar në “Kamp Nou”. “Djajtë e kuq” kanë një statistikë sa pozitive, aq dhe negative. Nëntë herë kanë arritur në gjysmëfinale, duke mundur të kalojnë vetëm dy herë në finale, të cilat i kanë fituar duke mos humbur asnjërën. Të dyja skuadrat janë ndeshur plot shtatë herë më parë me njëra-tjetrën, dhe gjithçka është në baraspeshë të plotë me nga dy fitore për secilën.
Në fushën e vet Barcelona ka një bilanc pozitiv me skuadrat angleze. 13 fitore, 8 barazime dhe vetëm 2 humbje në 23 ndeshje të luajtura (të dyja humbjet kanë ardhur nga Liverpuli). Ndërsa Mançesteri në këtë sezon të Ligës së Kampionëve nuk ka pësuar asnjë humbje në transfertë, duke koleksionuar tri fitore dhe dy barazime. “Djajtë e kuq” në 16 takime në Spanjë kanë një bilanc negativ (vetëm një fitore, gjashtë barazime dhe nëntë humbje), ndërsa për sa u përket kualifikimeve me sistemin vajtje-ardhje me skuadrat spanjolle, “djajtë e kuq” kanë arritur të kalojnë katër herë dhe janë eliminuar pesë herë. Ndeshja do të gjykohet nga Masimo Busaka.